VMRO-DPMNE-ja do të vendosë për hapat e ardhshëm për referendum

Shumica parlamentare: Iniciativa është antikushtetuese

Pas refuzimit të iniciativës për referendum për shfuqizim të Marrëveshjes me Bullgarinë nga ana e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, VMRO – DPMNE do të vendosë për hapat e mëtutjeshme në mbledhje të kryesisë partiake. Nënkryetari i kësaj partie, Vlado Misajlovski tha se, organet e partisë do të mblidhen, do të diskutojnë për të gjitha dilemat juridike dhe do të diskutojnë se si do të veprojnë më tej. Duke komentuar vendimin e Xhaferit, ai tha se, ai është juridikisht i paqëndrueshëm dhe është joligjore.

“Pyetja e VMRO – DPMNE-së nuk e ndryshon përmbajtjen e marrëveshjes, por e konteston ligjin me të cilin ratifikohet marrëveshje bilaterale dhe shpallet e vlefshme në territorin e Republikës së Maqedonisë me fuqi ligjore. Me shfuqizimin e Ligjit për ratifikim të marrëveshjes, i njëjti nuk do të vlejë më për Republikën e Maqedonisë, sepse në përputhje me Kushtetutën tonë, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të ratifikohen si ligje”,deklaroi Vlado MIsajlovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ndërkohë, shumica parlamentare ka mbështetur vendimin e kryeparlamentarit. Deputeti i LSDM-së Martin Kostovski tha sot se, iniciativa për referendum e opozitës maqedonase është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe interesat nacionale.

“Atë e dinë edhe në VMRO – DPMNE dhe për këtë, mbrëmë cituan nenin e gabuar 24 nga Ligji për referendum, i cili ka të bëjë me referendumin konsultativ dhe jo për atë obligues siç kërkojnë në iniciativë. Është e dukshme se Mickoski, qëllimisht ka shpikur dhe dorëzuar këtë iniciativë në mënyrë të paqëndrueshme juridikisht, në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë”, deklaroi Martin Kostovski, deputet i LSDM-së.

Ndërkohë, BDI i bëri thirrje opozitës maqedonase që të pranojë dhe të mbështesë Marrëveshjen me Bullgarinë, pasi edhe sipas kushtetutës efekti juridik i saj nuk mund të ndryshohet.

“Nisma e opozitës synon të pengojë rrugën drejt Bashkimit Evropian. Më vjen keq për bindjen dhe veprimin antievropian të opozitës. Por një është e qartë – se nuk do të ketë kthim mbrapa, sepse vendi nuk mund të izolohet nga pjesa tjetër e botës demokratike”, deklaroi Arbër Ademi, deputeti BDI-së.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi të martën hodhi poshtë iniciativën e VMRO – DPMNE-së për shpalljen e referendumit të obligueshëm për shfuqizim të Marrëveshjes me Bullgarinë. Ai tha se, iniciativa nuk është në përputhje me Kushtetutën. Ai duke cituar nenin përkatës, sqaroi se marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen në përputhje me Kushtetutën nuk mund të ndryshohen me ligj./KlanMacedonia/

 

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share