VMRO dhe LSDM përplasen për zgjedhjet e presidentit të ardhshëm

Kandidaturat për president kanë nxitur përplasje mes partive politike maqedonase. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan  Mickovski ka thënë se partia e tij, prej nesër e fillon fushatën për të zgjedhur kandidatin. Ai ka njoftuar se deri më tani nuk ka më shumë se tre të paraqitur të cilët kërkojnë mbështetjen e VMRO-DPMNE-së për të garuar në zgjedhjet presidenciale. Nga ana tjetër, kreu i opozitës Maqedonase akuzon LSDM-në se po punon që të bindë partitë shqiptare të mos nxjerrin kandidat për president.

“Në emër të demokracisë pres numër më të madh të kandidatëve. Një parti politike paraqiti kandidat të sajin. Shpresoj se kur do të shpallen zgjedhjet, me ndihmën e partive në pushtet do të arrijë të mbledhë nënshkrimet e duhura që ai kandidat të marrë pjesë në garën për president. Pres që kandidat të kenë edhe partitë tjera, para së gjithash mendoj për koalicionin e udhëhequr nga LSDM, edhe pse e di që lusin në Prishtinë dhe në Shkup që partitë politike shqiptare të mos nxjerrin kandidat me shpresë që do të marrin mbështetje për kandidatin e tyre”, është shprehur Mickoski.

Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në intervistë për “Slloboden Peçat” ka thënë se procedura për përcaktimin e kandidatit deri më tani është duke u zhvilluar brenda partisë dhe atë  në një nivel jashtëzakonisht të lartë demokratik.

“Si parti shtetformuese, LSDM do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe të atdheut, duke zgjedhur kandidat për kryetar të shtetit. I ndershëm, i pranuar gjerësisht nga qytetarët, pranë popullit, që ndan vlerat progresive të shoqërisë demokratike, me vizion për një të ardhme evropiane. Një njeri që do të jetë përfaqësues i të gjithë qytetarëve tanë pa dallime etnike, politike, fetare apo çfarëdo përkatësie. Ky është profili i kandidatit të LSDM-së dhe ai i kandidatit fitues të presidentit të ardhshëm të shtetit. Dy gjëra janë të sigurta. Kandidati do të ketë mbështetjen më të gjerë nga partitë politike dhe organizatat e shoqërisë civile, individët dhe natyrisht nga qytetarët”, thotë Kovaçevski.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale një vendin tonë do të mbahet më 24 prill të këtij vitit, ndërsa rrethi i dytë më 8 maj, bashkë me zgjedhjet parlamentare./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share