Të parakalosh tri herë brenda një gare një pilot si Max Verstappen nuk është e lehtë, madje është e paimagjinueshme. Gjithsesi, kjo gjë ndodhi pak ditë më parë në Austri, kur kampioni i botës në Formula 1 me Red Bull u detyrua të pranojë epërsinë që Ferrari dhe Charles Leclerc kishin në pistë.
“Në dy garat e fundit, Ferrari ka shkuar shumë më mirë nga sa e kishim parahsikuar. Kjo na ka befasuar të gjithëve, sidomos në Austri, ku ishin shumë të shpejta në pistë. Ndoshta ishte problemi ynë, që nuk menaxhuam ashtu si duhet gomat dhe kishim vështirësi në një pistë ku duhej të fitonim”, tha Verstappen.
Holandezi ka ende 38 pikë avantazh ndaj Leclerc, por ul euforinë dhe pranon se gjithçka mund të ndodhë. “Vendi i dytë në Austri ishte maksimumi, pasi nuk kishim shpejtësi për të dueluar me Ferrari. Shpresoj që gjërat të jenë më mirë në garën e ardhshme, në mënyrë që të shkojmë në pushime të qetë”, u shpreh holandezi.