Temperaturat e larta në mes të dimrit në Spanjë i joshën njerëzit të frekuentojnë plazhet. Shumë prej tyre shijuan motin jashtëzakonisht të ngrohtë ndërsa shprehën shqetësime rreth ndryshimeve klimatike dhe kërcënimit të valëve të reja të të nxehtit përgjatë kësaj vere.
“Këtu në Valencia temperatura duhet të ishte për këtë janar 6 gradë, tanimë është 15 gradë. Kjo nuk është e mirë për njerëzit, apo fshatrat apo peshqit e lagunës, për askënd”, thotë një banore.
“Nuk është normale që mos të ketë dimër këtë sezon”, shprehet një tjetër.
Shërbimi meteorologjik ka parashikuar që temperaturat do të arrijnë në 28 gradë Celsius në rajonin mesdhetar të Murcias dhe 24-26 gradë Celsius në pjesën më të madhe të Andaluzisë në Spanjën jugore përgjatë fundjavës mbi nivelet normale për periudhën e këtij viti.
Nxehtësia këtë dimër ka prekur edhe Francën juglindore, si pasojë e pranisë së një anticikloni të fuqishëm mbi Mesdhe. Edhe në Portugalinë fqinje, temperaturat në zonat qendrore arritën në 25 gradë Celsius.
Temperaturat e larta vijnë mes një thatësire të zgjatur që ka prekur pjesën më të madhe të vendit, veçanërisht rajonin verilindor të Katalonjës dhe rajonin jugperëndimor të Andaluzisë. Në kryeqytetin katalanas të Barcelonës, qyteti i dytë më i madh i Spanjës, nivelet e rezervuarëve të ujit ranë në mes të janarit në rreth 17 për qind të kapacitetit të tyre dhe mund të nxisë autoritetet të shpallin një gjendje të jashtëzakonshme.
Klan News