PUTIN: GARANTOJMË RRUGË PA PENGESA PËR DRITHËRAT
Presidenti ukrainas sot i ka nderuar punonjësit shëndetësorë në Ukrainë të cilët janë nën presion të madh për t’u kujdesur për civilët dhe ushtarët e plagosur. Në pjesët lindore të vendit prej shumë kohësh mungojnë mjekët dhe pajisjet medicinale dhe për këtë arsye në ndihmë kanë ardhur organizata ndërkombëtare humanitare.
“Pikërisht para 100 ditëve u zgjuam në një realitet ndryshe, me eksplodime dhe granata të cilat i sulmonin shtëpitë tona. Ka tri fjalë për të cilat luftojmë qe 100 ditë: PAQE, FITORE, UKRAINA” – deklaroi Zelenski, presidenti ukrainas.
Ndërkohë mijëra ukrainas luftojnë për mbijetesë dhe presin në rradhë të gjata për produkte bazë. Do të jenë të nevojshme tri javë për trajnimin e ushtrisë ukrainase që të mund t’i përdorin sistemet e reja raketore nga SHBA-të dhe Britania e Madhe. Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin ka premtuar se do të sigurojë ekport pa pengesa për drithërat e Ukrainës përmes porteve në Detin e Zi, që vijon pas krizës botërore serioze të ushqimit, posaçërisht në Afrikë.
“Është i mirëseardhur eksporti përmes porteve që janë nën kontrollin ukrainas, para së gjithash në Detin e Zi – Odesë dhe portet tjera përreth. Ne nuk mbajmë përgjegjësi për portet ukrainase, për këtë vendos Ukraina. Shumë herë u kam thënë kolegëve tanë – anijet që janë të ngarkuara me drithëra mund të nisen nga portet. Ne do të garantojmë kalim të sigurtë, pa probleme” – deklaroi presidenti Rus, Putin.
Kjo vjen pas kritikave të ashpra nga Unioni Afrikan, por edhe nga organizata të tjera, posaçërisht nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, se vendet e varfëra në botë janë gjithashtu viktimë e luftës në Ukrainë, për shkak të pengesave në furnizimin me ushqim.