Ushtria e Serbisë në kufi me Kosovën: ShBA-ja, Britania e NATO-ja në alarm – BE-ja hesht

Të dielën e 24 shtatorit, në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup terrorist serb la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Heroin Afrim Bunjaku.

Pas vrasjes së tij, njësitë speciale të Policisë së Kosovës ndërmorën një aksion për neutralizimin e këtij grupi terrorist, i cili ishte strehuar në Manastirin e po këtij fshati, raporton Klankosova.tv.

Tre prej serbëve të armatosur mbetën të vrarë ndërsa tre të tjerë janë në paraburgim.

Raportimet e para flisnin për një grup prej rreth 30 personash, por mbrëmë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se grupi mund të ketë qenë i përbërë prej më shumë se 80 personash.

Në ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Milan Radojiçiq, përmes përfaqësuesit të tij ligjor, Goran Petronijeviq, tha se ishte organizatori i atij sulmi terrorist në veri.

E policia e Kosovës, qysh në orët e para të ditës së djeshme, nisi një aksion për bastisjen e pronave të Radojiçiqit, duke konfiskuar disa automjete.

Situata e sigurisë në vend nuk duket të jetë e qetë, ndonëse që nga e diela e javës së kaluar nuk ka tensione në atë pjesë. Edhe Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, tha dje se situata në veri aktualisht është më e qetë, por se ende është “thellësisht e paqëndrueshme”.

Këto deklarime i mbështeti në një konferencë për media Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, i cili shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. I bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.

Kirby tha se gjatë bisedës që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.

Kirby tha se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.

“Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar”, tha ai.

Edhe Ndihmësi i Presidentit Biden për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan ka biseduar gjatë ditës së djeshme në telefon me kryeministrin Albin Kurti, raporton Klankosova.tv.

Ai, sipas njoftimit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, “shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën”.

“Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, citohet të ketë thënë Sullivan në këtë telefonatë me Kurtin.

Në ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë së saj në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje në Kosovë nëse kërkohet.

“Për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) – në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje nëse kërkohet”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.

Po dje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi se është marrë vendimi për shtimin e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë.

Ky komunikim i shefit të NATO-s u bë publik dje pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ku u diskutua për situatën në Kosovë.

“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, tha Stoltenberg.

Nga BE-ja deri më tani nuk ka ndonjë reagim në lidhje me vendosjen e ushtrisë së Serbisë në kufi me Kosovën. Deklarimi i fundit nga Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka të bëjë me mundësinë e vendosjes së masave ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Banjskë. /Klankosova

Lexo gjithashtu
Total
0
Share