Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka zgjatur për edhe një vit urdhrin ekzekutiv për gjendjet të jashtëzakonshme në Ballkan, duke vlerësuar se situata në Ballkan vazhdon të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.
Administrata e Presidentit amerikan, Xho Bajden, ka vazhduar masat ndëshkuese kundër atyre që cënojnë paqën dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Përvec Marrëveshjes së Dejtonit dhe Rezolutës 1244 për Kosovën, urdhëri ekzekutiv i Presidentit Bajden rikujton se cënimi I Marrëveshjes së Ohrit dhe Prespës, kërcënon SHBA-të.
Vendimi ekzekutiv I Presidentit të SHBA-së, është përshëndetur nga BDI-ja.
Sipas integristëve, Marrëveshja e Ohrit ajo e Prespës dhe Traktati I Miqësisë me Bullgarinë, janë edhe fryte të ndërmjetësimit objektiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
”Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë në mënyrë autonome dhe brenda Frontit Europian të jetë gardian i zbatimit të këtyre marrëveshjeve historike, ashtu siç kishte rol vendimtar në miratimin dhe zbatimin e tyre. Apelojmë që këtë ta bëjnë të gjithë protagonistët e politikës vendore pasi vetëm respektimi i këtyre marrëveshjeve është garancë e paqes, stabilitetit dhe ecurisë zhvillimore të vendit” – thonë nga BDI.
Urdhri ekzekutiv u miratua për herë të parë më 26 qershor 2001, nga ish-presidenti amerikan Xhorxh Bush, pas luftërave në Ballkan.
Gjithashtu, më 8 qershor 2021, u miratua “Urdhri Ekzekutiv 14033”, i cili zgjeroi shtrirjen e gjendjes së jashtëzakonshme në nivel kombëtar. /tvklan.mk/