UEFA lehtëson masat ndaj Rusisë

Ekipet e moshave deri në U17 do të përfshihen në gara

Në mbledhjen e Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s, që u mbajt këtë të martë në Qipro, u vendos ripranimi i ekipeve kombëtare të të rinjve rusë në garat që zhvillon organi më i lartë i futbollit europian, me kusht që ato të përbëhen vetëm nga futbollistë të mitur. Për sa i përket FIFA-s, nuk ka asnjë ndryshim në dispozitat e miratuara në një vit e gjysmë të fundit.

Vendimi i UEFA-s, e cila vazhdon të dënojë luftën në Ukrainë, komentohet si një akt ndërgjegjësimi, duke qenë se fëmijët nuk duhet të ndëshkohen për veprime për të cilat përgjegjësia bie ekskluzivisht mbi të rriturit dhe është i bindur plotësisht se futbolli nuk duhet të heqë dorë kurrë nga dërgimi i mesazheve të paqes dhe shpresës.

Kështu KE ka propozuar një zgjidhje teknike që do të lejonte rifutjen e ekipeve ruse deri U17, si për meshkuj ashtu edhe për femra, edhe pasi të jenë hedhur shortet. Të gjitha ndeshjet e ekipeve ruse do të luhen pa flamurin kombëtar, himnin, uniformën kombëtare dhe jo në territorin rus.

Komiteti Ekzekutiv konfirmoi se pezullimi i të gjitha ekipeve të tjera ruse, klube dhe kombëtare do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

Vendimi i UEFA-s ka hasur në opinione të kundërta, si ai i federatës Angleze të futbollit që ka shprehur dëshirën e saj që të mos luajë asnjë ndeshje kundër përfaqësueseve të të rinjve rusë.

Një pozicionim i fortë që çon në një konfrontim të vërtetë me UEFA-n.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share