U dënua me një vit burg për “kallëzim të rremë”, sot pritet ekzekutimi i vendimit për deputetin Ervin Salianji

Sot pritet të ekzekutohet vendimi i Gjykatës së Apelit për deputetin e PD-së Ervin Salianji, e cila dje me një vendim të formës së prerë e dënoi me 1 vit burg.

Të enjten, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm la në fuqi vendimin e 18 dhjetorit 2019 të Gjykatës së Tiranës, e cila shpallte fajtor Salianjin për “kallëzim të rremë” lidhur me audio-përgjimin e dosjes Babale dhe e kishte dënuar me 1 vit burg, shkruan A2.

Vetë Salianji e konsideroi vendimin si politik e njëkohësisht dekoratë në karrierën e tij. Vendimin që i heq jo vetëm lirinë, por edhe mandatin e deputetit, Salianji tha se do të kryente dënimin dhe se nuk do ta ndalonte së bëri opozitë as në qeli.

Vendimi ka ngjallur reagime të shumta tek opozita. Partia Demokratike mbrëmjen e djeshme mblodhi kryesinë për vijimin e aksionit opozitar pas dënimit të Salianjit.

Kryedemokrati Sali Berisha kërkoi nisjen e një vale protestash në të gjithë vendin, ku kërkoi mobilizimin e anëtarësisë në çdo qytet e shesh të vendit.

Mbledhja me dyer të mbyllura qartësoi idetë e aksionit opozitar. Strukturat do të dalin në terren në ditët në vijim për të organizuar bazën e partisë për një protestë kombëtare në datën 6 tetor. /Telegrafi/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share