Treshja e BE-së në Kuvend: Ndryshimet kushtetuese – partitë politike me qëndrime të ndryshme!

VMRO-DPMNE PËRSËRIT SE NUK DO T`I MBËSHTESË NDRYSHIMET KUSHTETUESE

Mysafirët nga Treshja e Vajmarit sot janë takuar me Kryeparlamentarin Talat Xhaferin, deputetë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare të LSDM-së, VMRO-DPMNE-së, BDI-së, ASH-së, Alterantivës dhe Besës, njofton KlanM.

Në takimin e përbashkët, siç kanë njoftuar nga shërbimi për marrëdhënie me opinionin, Kryeparlamentari Xhaferi ka përshëndetur këtë vizitë duke vlerësuar se po ndodh në moment të vërtetë dhe ka përsëritur përkushtimin e vendit për të realizuar qëllimet strategjike.

Është diksutuar edhe për ndryshimet kushtetuese, ku të pranishmit, siç përcjell KlanM, kanë shfaqur qëndrime të ndryshme.

“Bashkëbiseduesit janë njoftuar për aktivitetet aktuale në Kuvend në kontekst të këtyre qëllimeve, në veçanti për harmonizimin e plotë me pozicionet e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe hapat e ndërmarra lidhur me Ukrainën, procesin e skriningut pas miratimit të kornizës negociuese vitin e kaluar. Lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese, që janë parakushti i vetëm për hapjen e kapitujve negociues, u tha se për momentin në Kuvend nuk ka shumicë të nevojshme për zbatimin e tyre”, thonë nga Kuvendi.

Deputeti Antonio Miloshoski, siç njofton KlanM, ka përsëritur qëndrimin e VMRO-DPMNE-së se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese.

“Sic u tha nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, “PO” për BE-në, por “Jo” shantazheve nga ana e Bullgarisë, që nuk ofrojnë asnjë siguri se nuk do të bllokohet sërish procesi për eurointegrime për shkak të cështjeve iracionale që Bullgaria qartazi ende I ka ndaj Maqedonisë”, tha Antonio Miloshoski.

Koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi, sic njofton KlanM, tha se nga përfaqësuesit ndërkombëtar kanë marrë mesazhe të qarta – për të mirën e vendit, të lehen anash interesat partiake.

“Të gjitha mesazhet ishin të qarta, nëse duam ta kundërshtojmë Rusinë do të votojmë “pro” ndryshimeve kushteteuse. Ky ishte mesazhi i tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të hapet rruga për anëtarësim të vendit në familjen evropiane”, tha Arbër Ademi.

Nga Lëvizja Besa vazhdojnë të insistojnë për heqjen e 20%, sic thonë, pavarësisht se këtë nuk e kërkojnë BDI-ja dhe ASH-ja.

“Kur jemi në takime zyrtare me diplomatë të huaj ata kurrë nuk e kanë ngritur çështjen e 20%, thjeshtë bisedojnë për ndryshimet kushtetuese, mirëpo çështja e 20% nuk ka qenë pjesë e debatit të tyre. I vetmi që këtë çështje e kemi ngritur edhe në takime me diplomat të huaj është Lëvizja BESA”, tha Fadil Zendeli.

Me përjashtim të VMRO-DPMNE-së, gjatë takimit të grupeve parlamentare me përfaqësuesit e treshes evropiane, ka dominuar pajtimi për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por, sic njofton KlanM, njëkohësisht është kërkuar mbështetje më e madhe dhe garanca nga partnerët evropian për procesin e negociatave për të ndaluar kërkesat e reja nga ana e Bullgarisë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share