Trafik droge nga Amerika e Jugut në Europë, 35 të arrestuar: Pjesa më e madhe shqiptarë

Një operacion i shtrirë në Gjermani, Itali dhe Holandë, çoi në shkatërrimin e një rrjeti trafikantësh droge, i përbërë kryesisht nga shqiptarë. Operacioni zhvilluar me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, çoi në arrestimin e 35 personave të dyshuar, ndërsa u kontrolluan 51 vende të ndryshme në të 3 shtetet.

Më shumë se 600 oficerë morën pjesë në këtë operacion. Sipas asaj që raportohet në faqen zyrtare të Europol, ky rrjet kriminal akuzohet si përgjegjës për trafikimin në shkallë të gjerë të kokainës dhe kanabisit nga Amerika Jugore në Europë dhe shpërndarjen më tej nëpër vendet e Bashkimit Europian.

Pjesëtarët e këtij rrjeti janë po ashtu të njohur nga autoritetet për përdorimin e dhunës, përfshirë episode torture, apo pengmarrje me qëllim zhvatjen.

Përfitimet e këtij rrjeti përllogaritet të jenë të mëdha. Ata kishin disa baza logjistike, ku ruanin substancat narkotike dhe ku takoheshin anëtarët e kësaj bande.

Ata po ashtu kishin një flotë të madhe automjetesh të pajisura me vende të posaçme të sofistikuara për të fshehur drogën, telefona të pajisur me aplikacione me tekste të enkriptuara, etj.

Sipas hetimit, rrjeti kriminal kreu të paktën 36 importe, në total 1 ton kokainë dhe 1 ton hashash mes Marsit të 2020 dhe Qershorit 2021. Vlera e drogës përllogaritet se do të gjeneronte më shumë se 1 milion euro në tregun e shpërndarjes. Gjatë hetimeve, autoritetet po ashtu sekuestruan më shumë se 1 milionë euro kesh./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share