Tifozët shqiptarë “pushtojnë” Pragën: Këtu do digjet nëse fitohet sonte

Atmosferë kuqezi në Pragë në prag të duelit me Republikën Çeke. Qindra tifozë kanë nisur të mblidhen tashmë në baret dhe restorantet e kryeqytetit çek, me numrin që rritet nga minuta në minutë.

Këngë shqiptare dhe kore festive kanë qenë kryefjalë e këtyre orëve, duke treguar entuziazmin që mbizotëron para një dueli vendimtar në rrugën drejt kualifikimit të Euro2024.

 

“Për Zotin na duket vetja sikur me ardh në Tiranë. Karikimi është 100%. Tifozët janë të karikuar nga dje. Ne dje kemi ardhur sikur me qenë në Tiranë. Pa pikë problemi. Entuziazmi 100%. Do Zoti, Praga, jo policia që të vijë, mund të marrë polici dhe nga shtete të tjera, këtu do digjet të fitohet sot. Kjo është ta garantoj unë, zjarr”, u shpreh një tifoz.

“Neve nga Austria po vijmë po ashtu. E ndjekim Shqipërinë gati çdo herë. Ku të jemi më afër e ndjekim. Do të ketë shanse të mira që Shqipëria të kualifikohet në europian e ardhshëm. Besimi krejt janë të mirë tani, por Broja na mungon, mirëpo shpresojmë tek lojtarët e tjerë më të rinj. Shprësoj me një fitore si këtu, si në shtëpi kundra Polonisë”, tha një tjetër.

“Gjakova e ka qytetin në Kosovë e Malësinë në Shqipëri kështu që jemi një. Jemi 1500  dhe me të dhëna jemi rreth 4 mijë shqiptarë në stadium. Sot 2 me 1 dhe kjo na hap rrugën për gjermani, kështu që shqiptarë, të lutem nisni të mblidhni pare se Gjermania po afron. 2024 erdhi, ne jemi në kampionat Europian, atë e kemi të sigurt. Jemi tejet optimistë”, tha një tifoz tjetër.

Rreth 4 mijë tifozë shqiptarë pritet të mbushin shkallët e stadiumit “Fortuna Arena” që ka një kapacitet prej mbi 19 mijë spektatorësh. Atmosfera në rrugët e qytetit është tejçuar edhe në kombëtaren shqiptare.

Trajneri Sylvinho ka një grup tepër në harmoni në dispozicion për këtë 90 minutësh që vlen shumë për vazhdimësinë në grupin E kualifikues. Braziliani duket se nuk do të eksperimentojë shumë me formacionin që do të hedhë në fushën e lojës. Gjasat janë që ai të konfirmojë lojtarët që luajtën në fitoren e fundit eliminatore ndaj Ishujve Faroe.

Ndeshjen do të keni mundësi ta ndiqni ekskluzivisht në ekranin e Tv Klan./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share