“Ti je jeta ime”, momenti prekës kur gjyshi dhe mbesa 5-muajshe ribashkohen pas tërmetit

Autoritetet turke kanë bërë të ditur se 301 fëmijë janë raportuar të zhdukur ndërsa 170 të tjerë janë ritakuar me të afërmit

Mithat Kilisli dhe mbesa e tij pesë muajshe Zehra kaluan dy ditë e gjysmë të bllokuar në rrënoja pas tërmetit shkatërrues të Turqisë përpara se shpëtimtarët të dëgjonin britmat e tyre.

Të nxjerrë nga rrënojat veç e veç, Kilisli u përball më pas me një pritje të mundimshme tre-javore përpara se të ribashkohej me Zehrën, të vetmen anëtare tjetër të mbijetuar të familjes së tij, e cila ishte dërguar në një spital dhe më pas në jetimore.

Kilisli udhëtoi qindra kilometra nga shtëpia e tyre e mëparshme në provincën Hatay për ta takuar atë në Ankara. Pasi bëri një test të ADN-së për të vërtetuar lidhjen e tyre, ai e mori atë me vete.

“Kur ra tërmeti, ne u ngecëm nën rrënojat. Falë Zotit Zehra ishte në prehrin tim. Për dy ditë e gjysmë ajo qante pa pushim, ditë e natë. Unë u thashë shpëtuesve shpëto Zehrën së pari, më lër të vdes, nuk është e rëndësishme përderisa të shpëtohet Zehra.”

Zehra u dërgua në një jetimore nga autoritetet pasi mamaja, babai dhe gjyshja e saj humbën jetën nga tërmeti shkatërrimtar.

“Ti je jeta ime. Faleminderit Zotit që të gjeta. Po pres me padurim, dua të marr rezultatin e analizës së ADN-së tani. Unë jam këtu duke vdekur për mbesën time. Ky fëmijë nuk ka as nënë, as baba, as gjyshe, as njeri. Vetëm unë kam mbetur. Plaga ime është shumë e thellë, por tani ndjej sikur e kam harruar dhimbjen. Zoti i bekoftë të gjithë. Ne e gjetëm Zehranë, po e marr tani. Unë jam njeriu më i lumtur në botë. Ajo ka mbetur vetëm.”

Numri i të vdekurve në Turqi nga katastrofa është rritur në mbi 51 mijë së bashku me ata që humbën jetën në Siri. Miliona mbetën të pastrehë, 108,000 të plagosur dhe disa fëmijë e gjetën veten të ndarë nga të afërmit ndërsa u dërguan me urgjencë në spital pasi u nxorrën nga rrënojat. Autoritetet turke kanë bërë të ditur se 301 fëmijë janë raportuar të zhdukur. Deri më tani 170 fëmijë janë lidhur me të afërmit./Klan News

VIDEO

Lexo gjithashtu
Total
0
Share