Thirrje për hakmarrje në funeralin e shefit të Hamasit/ Irani pritet t’i hakmerret Izraelit…

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në  funeralin e shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh në Iran.

Televizioni shtetëror transmetoi imazhe të drejtpërdrejta të liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei duke kryer lutjet në funeralin e Haniyeh në Universitetin e Teheranit, ku mijëra njerëz të veshur me të zeza brohorisnin “Vdekje Izraelit” dhe “Vdekje Amerikës”.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, udhëhoqi lutjet për liderin e Hamasit, trupi i të cilit do të prehet në Katar. Mediat amerikane cituan burime nga zyrtarët iranianë se lideri suprem ka urdhëruar një sulm të drejtpërdrejtë kundër Izraelit, i  cili është përgjegjës për sulmin në tokën iraniane.

Vetë kryeministri Benjamin Netanjahu paralajmëroi qytetarët se ditë sfiduese do të vijnë , ndërsa frika për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme vijon e  rritet.

Në një intervistë me Channel Neës Asia gjatë një vizite në Singapor,  sekretari amerikan I shtetit  u pyet se çfarë ndikimi mund të ketë vrasja e liderit të Hamasit në rajonin e Lindjes së Mesme. Ai vetë mohoi përfshirjen e Uashingtonit në vrasjen e liderit të Hamasit.

“Së pari, kjo është diçka për të cilën ne nuk ishim të vetëdijshëm, apo të përfshirë . Është shumë e vështirë të spekulosh, dhe unë kam mësuar gjatë shumë viteve, të mos spekulosh kurrë mbi ndikimin që një ngjarje mund të ketë në diçka tjetër. Kështu që nuk mund t’ju them se çfarë ndikimi do të ketë”, deklaroi Blinken.

Ndërkohë ushtria izraelite ka konfirmuar se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif u vra në një sulm ajror në Rripin e Gazës muajin e kaluar. Tel Avivi thotë se Deif ishte një nga organizatorët kryesorë për planifikimin e sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit , ku 1200 njerëz  humbën jetën dhe 251 u morën peng.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share