Disa vende të BE-së kërkojnë sanksione ndaj Serbisë

Pritet përfundimi i hetimeve për të vendosur mbi sanksionet, Lajçak raporton në Bruksel

Disa vende të BE-së po kërkojnë të vendosin që tani sanksione ndaj Serbisë pas sulmit të së Dielës në Banjskë, por një vendim i tillë ende nuk ka arritur unanimitetin e nevojshëm. Lidhur me situatën në Kosovë, në Bruksel u mbajt një takim i Komitetit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri ku raportoi i dërguari europian për dialogun Miroslav Lajçak, përfaqësues të EULEX-it edhe të shërbimit të Jashtëm.

Pavarësisht qasjes së ashpër të disa vendeve kundër Serbisë, në Komisioni Europian po presin përfundimin e hetimeve për të vërtetuar nëse Serbia ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt në sulmet ndaj Policisë së Kosovës të Dielën apo në dërgimin e armatimit në Kosovë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Burimet diplomatike thanë se disa shtete ngritën zërin kundër Serbisë dhe përsëritën thirrjen për zyrtarët e BE-së që të jenë të balancuar në qasjen ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë.

Deri tani Bashkimi Europian guxoi ta quajë akt terrorist sulmin ndaj Policisë së Kosovës, por zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se vendet anëtare po presin zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe fakteve rreth asaj që ka ndodhur të Dielën në fshatin Banjskë.

“Tani kemi një ndryshim të rëndësishëm të situatës pas sulmeve terroriste të së dielës në Kosovë. Për ne është e rëndësishme që të zhvillohet dhe të përmbyllet hetimi. Dhe kur ta kemi pasqyrën e qartë dhe të plotë nga hetimet lidhur për atë që çfarë ndodhi, kush qëndron prapa kësaj dhe kush është përgjegjës, atëherë do të marrim vendimet e duhura”, ka thënë Stano.

Gjatë diskutimeve për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Siguri, përfaqësuesit e vendeve anëtare kanë shprehur po ashtu mbështetje punën e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kanë kërkuar nga palët që të kthehen në dialog dhe të zbatojnë detyrimet e marra përsipër.

Po ashtu mësohet se disa diplomatë kanë kërkuar që të ketë hetime profesionale dhe që hetimet të përmbyllen sa më parë që të jetë e mundur.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share