Tenistja polake Iga Swiatek fitoi sot WTA Finals (turneun e më të mirave), eventi i fundit për këtë vit në këtë sport, zhvilluar në Kankun të Meksikës. Ky është turneu ku luajnë 8 tenistet më të mira në botë.
Në finalen që zgjati vetëm 59 minuta, Swiatek mundi rivalen amerikane Jessica Pegula me rezultat 2-0 në sete 6-1 dhe 6-0. Falë këtij suksezi, tenistja polake ngjitet sërish në krye të renditjes botërore, duke zbritur nga froni bjellorusen Aryna Sabalenka.
Kjo është hera e parë në karrierë që Iga Swiatek e fiton këtë turne, sukses që vjen pas një ulje të ritmit në mesin e këtij viti. Polakja ishte e papërballueshme në këtë ndeshje, duke regjistruar rezultatin më të thellë në WTA Finals.
Një finale pa histori, teksa Pegula për asnjë moment nuk arriti të rivalizojë ndaj Swiatek, që ishte në një nivel tjetër. Polakja merr kreun e renditjes me 9.250 pikë, gati 250 pikë më shumë se Sabalenka, që zbret në vendin e dytë.