Ten Hag nuk shqetësohet për të ardhmen, trajneri thotë se ka mbështetjen e klubit

Erik ten Hag këmbëngul se nuk ka frikë për të ardhmen e tij si trajner i Manchester United dhe se e ka ende mbështetjen e klubit. Pozicioni i trajnerit holandez është vënë në dyshim pasi “Djajtë e kuq” humbën gjysmën e 24 ndeshjeve të tyre këtë sezon.

Ata u mundën 3-0 në shtëpi ndaj Bournemouth fundjavën e kaluar dhe në mesjavë u larguan nga Europa pasi e mbyllën të fundit në grup në Ligën e Kampioneve. Ecuria negative mund të vazhdojë për United, që të dielën do të ndeshet me Liverpulin në “Anfield Road”.

Në sfidën e luajtur në mars, “Djajtë e kuq” u mposhtën 7-0 nga “të kuqtë” në këtë stadium. I pyetur për të ardhmen, Ten Hag tha në konferencë për shtyp se synimi i tij është vetëm të fitojë.

“Nuk shqetësohem për këtë gjë! Dua që të fitoj! Dua të kem sukses me ekipin tim, të bëjmë përpara. Ndiej mbështetjen e klubit dhe ata këtë e tregojnë. Por aktualisht kjo është në rregull, por jam i fokusuar te procesi ta bëj këtë ekip të luajë mirë, t’i bëj lojtarët më të zotë! Kjo më shqetëson!”

Ten Hag mendon se ka në dispozicion futbollistë shumë të aftë dhe është i sigurt se ekipi do të performojë edhe më mirë kur të rekuperohen lojtarët e dëmtuar.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share