Të rinjtë rinovuan objektin e ish-radio Tetovës, komuna kërkon t`i lirojnë hapësirat

Komuna e Tetoves: Sa më parë të lirojnë hapësirat të cilat momentalisht i shfrytëzojnë.

Të rinjtë e Tetovës disa vite me heret e gjetën objektin e ish Radio Tetovës, të rrënuar, pronë e Komunës së Tetovës, dhe vullnetarisht mbi 40 të rinj me punë dhe përkushtim i dhanë jetë këtij objekti të lënë pas dore.

U nënshkrua edhe kontratë me komunën e Tetovës që të rinjtë ta shfrytëzojnë deri në vitin 2024 si hapësirë socio-kulturore. E disa ditë më parë pranuan një kerkese nga kjo Komunë që sa më parë të lirojnë hapësirat të cilat momentalisht i shfrytëzojnë.

”Ky objekt ka qenë plotësisht i pashfrytëzuar për më shumë se 10 vjet dhe ka qenë në mbeturina, një grup organizatash të ngjashme kanë ardhur nga Brukseli, Kosova dhe së bashku kemi punuar vullnetarisht dhe kemi nxjerrë më shumë se katër kamionë me mbeturina dhe e kemi vënë në gjendje që të kemi mundësi të shfrytëzohet nga komuniteti ynë dhe e gjithë shoqëria e Tetovës, pas kësaj u përpoqëm të shkruanim projekte dhe të kërkojmë grante për renovimin dhe ndërtimin edhe më të mirë të gjendjes së mëparshme e cila nuk ishte aq e mirë” – deklaroi Redon Abdiu – vullnetar në hapsirën sociale kulturore Tetovë

“Vendimi na erdhi shumë i shkurtër dhe jo i qartë, nuk ka arsye pse të largohemi nga vendi, po mundohemi të kontaktojmë dhe të kuptojmë pse, sepse e shohim të paarsyeshme dhe na shqetëson ky dokument që duket si një ultimatum i palogjikshëm. Ne jemi një komunitet i hapur që përpiqemi të bashkojmë dhe jo të përçajmë qytetarët, organizatat, grupet joformale dhe individët krijues, të rinjtë e çdo moshë apo interes tjetër, të vijnë të mblidhen këtu dhe të punojnë së bashku” – deklaroi Trime Halili.

Të rinjtë vullnetarë në këtë qendër kanë aplikuar edhe për shumë projekte dhe grante tjera dhe janë të shqetësuar se edhe projektet që kanë nisur do të mbeten të parealizuara pas këtij vendimi të komunës.

“Përveç organizatave vendore me të cilat kemi bashkëpunim të vazhdueshëm, kemi bashkëpunim edhe me organizata ndërkombëtare si European Endowment for Democracy, me të cilin kemi një projekt që është në vazhdim dhe për dy vite të tjera, me ç'rast rrezikohet partneriteti ynë me shumë organizata të tjera pas këti vendimi” – deklaroi Faik Selimi, vullnetar.

TV Klan Maqedoni kërkoi përgjigje nga komuna e Tetovës për këtë çështje, e nga atje thënë se brenda javes do të dalin me komunikatë për media nga kjo komunë. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share