Për listën provizore të lojtarëve të Kombëtares për Euro 2024, Sylvinho ka vonuar 3 muaj për të bërë përzgjedhjet e tij. Në një konferencë për mediat, trajneri Sylvinho thotë se këtë listë e ka ndryshuar disa herë, teksa shton se ajo që ka shfaqur sot për publikun është produkt i 3 ditëve të fundit.

3 muaj për të punuar për këtë listë, e kam ndryshuar shumë herë patjetër. Dhe kjo listë finale është produkt i këtyre 3 ditëve të fundit”, u shpreh Sylvinho.

Më tej, trajneri i Kombëtares ka thënë se në këtë Europian, Kombëtarja shqiptare duhet të provojë diçka më shumë teksa shtoi se do të kenë përballë 3 kundërshtarë shumë të fortë.

“Ne duhet të shkojmë në Europian për të luftuar për çdo pikë. Ky është shpirti që duam, mund të ndodhë gjithçka në 90 minuta. Ne duam që ta shijojmë këtë eksperiencë me përgjegjësinë e duhur sepse po luajmë ne Europian dhe është fantastike. Qëllimi ynë është të luftojmë për çdo pikë, por edhe të rritemi dhe të përmirësohemi”,deklaroi Sylvinho.