Taravari: Nuk është e vërtetë se nuk kemi kursyer energji elektrike

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, e ka vlerësuar të pasaktë pretendimin e ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, se vetëqeverisja lokale nuk respekton masat për kursimin e energjisë elektrike.

I pyetur nga MIA-ja për koment, Taravari ka sqaruar se shumat e faturave janë të njëjta me vitin e kaluar.

“Ministri është i keqinformuar kur pretendon se kemi rritje dhe mos kursim të energjisë elektrike në nivelin mbi 90 për qind. Më duhet të sqaroj se në muajt e kaluar është bërë zgjerimi dhe vendosja e ndriçimit publik në shumë vendbanime të reja në qytet dhe fshatra. Ne kemi lidhur pompa në objektet që janë të nevojshme për funksionimin dhe ofrimin e shërbimeve komunale. Me gjithë zgjerimin dhe investimet e reja, konsumi i energjisë elektrike është në nivelin e një viti më parë”, tha kryetari Taravari.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ndryshe në raportin e paraqitur ditë më parë nga ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi thuhet se gjitha komunat e vendit kanë kursyer për 29% energjinë elektrike gjatë shtatorit. Nga 81 komuna, 25 prej tyre nuk e kanë kaluar pragun e kursimit, në fund të listës ishin komuna e Haraçinës, Gostivarit dhe Komuna e  Sveti Nikollës.

“Më së shumti devijojnë Komuna e Haraçinës, Gostivarit dhe ajo e Sveti Nikollës. Këto të dhëna tregojnë se nëse jemi racional dhe nuk shpenzojmë energji elektrike në mënyrë të panevojshme mund të bëhen kursime të mëdha, nëse të gjithë japim kontributin maksimal, secili me përpjekjen e tij personale mund të ndihmojë që me pasoja më të vogla të përballojmë këtë krizë energjetike”, u shpreh Bekteshi.

Ndryshe mbrëmë edhe nga komuna e Gostivarit reaguan duke i vlerësuar si të pasakta dhe të paargumentuara pretendimit e ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi në lidhje me respektimin e masave për kursimin e energjisë elektrike nëpër ministri, institucionet shtetërore dhe publike, si dhe në institucionet e pushtetit lokal.

“Për saktësim dhe informim real të opinionit publik, Komuna e Gostivar bën me dije se konsumi i energjisë elektrike për muajt referues shtator 2021 dhe shtator 2022, për objektet e administratës, ndriçimit publik dhe objekteve të tjera në shërbim të interesit publik, është në nivel të njëjtë. Pra, aspak nuk janë të vërteta pohimet e ministrit se ka rritje dhe moskursim të energjisë elektrike në masën prej mbi 90 % . Në këto muajt e fundit, është kryer zgjerimi dhe vendosja e ndriçimit publik në shumë vendbanime të reja në qytet dhe fshatra, por pavarësisht se kemi zgjerim të investime të reja në ndriçimin publik, konsumi i energjisë elektrike është në nivelet e një viti më parë”./KlanMacedonia/

 

 

 

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share