Takimi me Vuçiq në Beograd, Rama: Dialogu, rruga e vetme. Askush të mos nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit

Kryeministri Edi Rama ka shkuar edhe në destinacionin e tij të fundit në këtë tur ballkanik që nisi të enjten. Në Beograd të Serbisë, kreu i qeverisë është pritur nga Presidenti Aleksandër Vuçiç. Pas një takimi të shkurtër mes tyre ka nisur edhe konferenca e përbashkët për shtyp. Siç raporton gazetarja Klesiana Omeri, kreu i qeverisë Rama është shprehur se me Vuçiç do të diskutojë në mënyrë shteruese për procesin e Berlinit.

“Duke qenë se kryeministrja e Serbisë nuk ishte e pranishme, takimi me presidentin do jetë më i gjatë. Do diskutojmë në mënyrë shteruese për procesin e Berlinit. Ne jemi mjaftueshmërisht mësuar që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk biem dakord, por kjo s’na ndalon bashkëpunimin dhe paqen. Për të punuar dhe bashkëpunuar konkretisht duhet që në momente si ky, që është një moment specifik, të evitojmë që ndarja e gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë klimën”, tha Rama.

Sa i përket situatës në Kosovës, sipas Ramës, rruga e vetme është ajo e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman. Sipas Ramës, askush nuk duhet të nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit.

“Rruga e vetme është jo rruga e rritjes së tensioneve, por rruga e dialogut dhe e dakordësisë mbi marrëveshjen që buron nga plani franko-gjerman. Nuk dua të përsëris në Beograd çfarë kam thënë në Prishtinë, por dua të shtoj se askush nuk duhet ta nënvlerësojë përshkallëzimin e tensionit”, mësohet të jetë shprehur Rama.

Për Kosovën pranoi se është folur edhe Vuçiç, por nuk komentoi gjatë.

“Folëm për pikëpamjet tona shpesh të ndryshme sa i takon situatës në Kosovë, por nuk do ishte e drejtë të thonim diçka këtu në prani të kryeministrit shqiptar dhe s’besoj se do e bëjë dhe ai”, tha Vuçiç.

Vuçiç u ndal edhe te Ballkani i Hapur.

“Për të arritur rezultate të rëndësishme. Sa i përket Ballkanit të Hapur, nuk do kemi diskutime të lehta, por do kemi diskutime të frytshme. Besoj se ka shumë gjëra që kjo nismë që pati fillesën nga rajoni ndihmoi për t’i sjellë njerëzit më pranë. Në periudhën që vjen do kemi takime të përbashkëta për Ballkanin e Hapur. Do kemi panairin e tretë në nivel europian në Nëntor në Beograd. Do jetë me një rëndësi në nivel botëror”, u shpreh Vuçiç.

Kryeministri Edi Rama përfundon sot një tur ballkanik. Ai vizitoi dje Shkupin dhe Prishtinën ndërsa sot u ndal në Bosnje e Mal të Zi. Takimi i fundit i kreut të qeverisë është në Beograd të Serbisë me Aleksandër Vuçiç./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share