Takim mes presidentësh në Moldavi? Osmani: Dialogu organizohet në Bruksel. Vuçiç: Nuk e di se kush vjen nga Prishtina

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Samiti i liderëve evropianë në Moldavi, ka thënë se nuk ka plan për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic. Ajo u shpreh se i takon shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që t’i caktojë takimet për dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk kemi plan që të takohem me presidentin e Serbisë, siç e dini, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë organizohet në Bruksel, i takon z.Borrell që të përcaktojë datën kur ai mendon se është e domosdoshme që të bëjë takime të tilla”, tha ajo.

Osmani tha që shpreson se liderët evropian të kërkojnë nga Vuçiçi që të zbatojë premtimet e tij.

“Ne jemi në favor të dialogut, mirëpo insistojmë që ato për të cilat dakordohemi, pastaj edhe të zbatohen. Ju e dini që Vuçiç vazhdimisht ka thënë që nuk do të zbatojë atë për të cilën është dakorduar në Bruksel dhe në Ohër dhe nga ai shpresoj që të gjithë liderët evropian të kërkojnë që të zbatojë premtimet e tij, e jo të bëjë të kundërtën e asaj që thotë, asaj që nënshkruan dhe asaj për të cilën dakordohet”, u shpreh tutje ajo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk ka mohuar e as pohuar, nëse do të ketë sot një takim edhe me presidenten e Kosovës, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian në Moldavi.

‘Nuk e di se kush vjen nga Prishtina, por unë do takohem me [Olaf] Scholz dhe [Emmanuel] Macron, përfundimisht. Ky do të jetë një diskutim vërtetë i rëndësishëm për ne’, është shprehur Vuçiç sipas Klan Kosova.

Kujtojmë që edhe shefi i BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se është në pritje të takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share