Stoltenberg: Siguria në Kosovë, kyçe për stabilitetin e Ballkanit

Kreu i aleancës ushtarake paralajmëroi se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se ruajtja e një mjedisi paqësor dhe të sigurt në Kosovë është çelësi për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalimin e tij të fundvitit, kreu i aleancës ushtarake paralajmëroi se tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten.

“Po jetojmë në një botë më të rrezikshme. Është një luftë e plotë në Europë dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Vazhdon të ketë terrorizëm brutal dhe ndryshimi i klimës po nxit konfliktet. Nuk mund të ketë siguri pa mbrojtje të fortë. Nuk ka mbrojtje të fortë pa ushtri të aftë”.

Këtë vit, NATO-ja dërgoi qindra forca shtesë në misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, pas trazirave që shkaktoi vendosja e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku u plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it gjatë protestave të serbëve lokalë që bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, si dhe pas incidentit në Banjskë në shtator, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Misioni ushtarak i aleancës sot numëron mbi 4.600 trupa në Kosovë.

“Në këtë periudhë të vitit, falenderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Pa ju nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri”.

Ngjarja e 24 Shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova shpalli Pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share