Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, jens Stoltenberg, iu drejtua deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë për herë të parë që kur vendi u bë anëtar i plotë i Aleancës tre vjet më parë, përcjell KlanM.
Ai tha se që nga anëtarësimi në vitin 2020 e deri më sot, në Maqedoninë e Veriut ka më shumë investime të huaja dhe më shumë vende pune.
“Paqja dhe stabiliteti janë një parakusht për prosperitetin ekonomik”, përfundoi Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka folur edhe për fëmijërinë e tij para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, duke treguar se ka jetuar për tre vjet në territorin e Ballkanit Perëndimor kur babai i tij punonte në ambasadën norvegjeze në Jugosllavi, përcjell KlanM.
“Këtu shijova akulloren e parë dhe hëngra specat e para të mbushura. Vërtet kam kujtime të këndshme nga fëmijëria ime në ish-Jugosllavi”, kujton Stoltenberg dhe shton se që atëherë është kthyer shumë herë në këtë rajon për të takuar miq.
Në vitin 2018, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbërriti në Maqedoni për hapjen e rrugës Stoltenberg, e cila mban emrin e babait të tij, i cili është qytetar nderi i Shkupit.
“Ishte një njohje e përpjekjeve të tij, por edhe e përpjekjeve të nënës sime për të ndihmuar ata që vuajtën në tërmetin e vitit 1963”, tha Stoltenberg.
Prindërit e tij, siç kujton ai, koordinuan ndihmat e ardhura nga Norvegjia dhe ndihmuan ata që mbetën të pastrehë nga tërmeti. Më pas ndihmuan në shndërrimin e spitalit të tuberkulozit në Kozle në Institutin e sëmundjeve të frymëmarrjes së fëmijëve. Ky spital, tha ai, edhe sot kujdeset për fëmijët dhe kjo është arsyeja pse kjo pjesë e botës është e rëndësishme për të, raporton Makfax.
Ai në fjalën e tij para deputetëve tha se anëtarësimi në NATO është i mirë për Maqedoninë e Veriut, por është i mirë edhe për NATO-n.
“Forcat tuaja të armatosura kontribuojnë në mënyrë aktive për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Maqedonia e Veriut dënoi menjëherë agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe iu bashkua sanksioneve evropiane. Maqedonia e Veriut është një anëtar i rëndësishëm dhe i besueshëm”, tha Stoltenberg./KlanMacedonia