Spitali kryesor i Gazës në terr

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ia vari veshin të shtunën thirrjeve të aleatëve perëndimorë për të bërë më shumë për t’i mbrojtur civilët palestinezë, pasi ushtria e vendit të tij e rrethoi spitalin kryesor në Rripin e Gazës, ku mjekët thanë se vdiqën pesë pacientë, përfshirë një foshnje, pasi gjeneratori i fundit mbeti pa karburant.

Izraeli e ka përshkruar Spitalin Shifa si qendrën kryesore të komandimit të grupit radikal palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duk thënë se militantët e grupit po i përdorin civilët si mburoja njerëzore dhe se nën të ka krijuar bunkerë.

Hamasi dhe Shifa i kanë mohuar këto akuza.

Në ditët e fundit, luftimet afër Shifas dhe spitaleve të tjera në zonat e luftimeve në veri të Gazës janë rritur, ndërsa furnizimet janë harxhuar.

“Nuk ka rrymë. Mjetet mjekësore janë ndalur. Pacientët, posaçërisht ata në kujdes intensiv, kanë filluar të vdesin”, tha Mohammed Abu Selmia, drejtor i Spitalit Shifa, duke folur në telefon nën tingujt e shpërthimeve dhe armëve të zjarrit.

Abu Selmia tha se trupat izraelite “po shtien ndaj të gjithë njerëzve jashtë apo brenda spitalit”, dhe se po e parandalojnë lëvizjen në mes të ndërtesave në këtë zonë.

Pretendimi i tij se të shtënat në Shifa janë shkrepur vetëm nga trupat izraelite nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

E pyetur për raportimet se trupat e saj po shtien me armë në oborrin e Spitalit Shifa, Ushtria e Izraelit tha vetëm se trupat e saj janë duke luftuar me Hamasin në afërsi dhe se po i ndërmerr të gjitha masat e mundshme për ta parandaluar dëmtimin e civilëve.

Ajo tha se trupat izraelite kanë hasur në qindra luftëtarët të Hamasit në ndërtesat, shkolla, xhamitë dhe klinikat përdhese gjatë luftimeve në Gazë.

Në Shifa, pesë pacientë vdiqën pasi gjeneratori u fik si pasojë e mungesës së karburantit dhe rrymës, tha Medhat Abbas, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Netanyahu tha se përgjegjësia për dëmet ndaj civilëve bie mbi Hamasin, duke i përsëritur akuzat e moçme se grupi radikal po i përdor civilët në Gazë si mburoja njerëzore.

Ai tha se derisa Izraeli u ka bërë thirrje civilëve të largohen nga zonat e luftimeve, “Hamasi po bën gjithçka për të mos i lejuar ata të largohen”.

Ndërkohë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha për BBC-në të premten vonë se Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve.

Macroni tha se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe shtoi se armëpushimi do t’i sillte dobi Izraelit.

“De fakto – sot, civilët po bombardohen – de fakto. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, tha Macroni.

Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ministria e Jashtme e Izraelit tha se numri zyrtar i të vrarëve gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit është ulur në 1.200.

Paraprakisht, zyrtarët izraelitë kishin raportuar se 1.400 persona u vranë nga Hamasi gjatë sulmeve në jug të Izraelit, gjë që nxitën luftën në Gazë.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që nga nisja e luftës.

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share