Sot sfida e Shqipërisë kundër Çekisë, Sylvinho do të luajë me të njëjtin formacion si në Pragë

Sylvinho pritet të ketë thuajse të gjithë lojtarët të cilët u aktivizuan në takimin e parë me Çekinë në Pragë. Ndryshimi i detyruar do të jetë në mbrojte ku Ismajlin e dëmtuar parashikohet ta zëvendësojë Ajeti që do të luajë në qendër bashkë me Gjimshitin, ndërsa në krahë do të jenë Hysaj dhe Mitaj.

Në portë mendohet të aktivizohet Berisha, i cili ka marrë edhe minuta të mjaftueshme në Serie A tek Empoli. Në mesfushë pritet treshja Asllani, Ramadani, Bajrami. Në sulm nga minuta e parë mendohet ta nisin Cikallashi i mbështetur nga Asani dhe Seferi.

Në konferencën për mediat Sylvinho pa zbuluar asgjë përveç mungesës së Brojës tha se 80% të formacionit e kishte në kokë, por gjithçka do të qartësohej vetëm pak para ndeshjes. Në këtë përballje të rëndësishme për kualifikueset e Euro 2024 duhet një grup lojtarësh që të sulmojë dhe të mbrohet, duke parë cilësitë fizike të kundërshtarëve.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Diferenca prej vetëm 2 pikësh mes dy ekipeve e bën të domosdoshëm një rezultat pozitiv për Kuqezinjtë. Shqipëria do të presë Çekinë në një stadium të mbushur të tërin, ndërsa ata që nuk do të jenë aty mund ta ndjekin direkt në Tv Klan me komente, analiza dhe intervista para dhe pas takimit.

 

Kontrolle të rrepta për tifozët në stadium, Kodra zbulon surprizat për ndeshjen me Çekinë

Drejtori i komunikimit në FSHF, Fatjon Kodra, ka treguar për një lidhje live në Tv Klan se kontrollet për hyrjen në stadium në ndeshjen me Çekinë do të jenë shumë të rrepta.

“Kjo ndeshje do jetë krejt ndryshe nga ato që kemi pasur në të kaluarën sa i përket sidomos të nivelit të sigurisë sepse me ndeshjen me Poloninë pati shumë problematika dhe u bënë disa javë që ka një koordinim shumë të ngushtë nga Federata me strukturat ligjzbatuese. Do të kemi një sasi të madhe të shtuar të policisë që do të jetë e angazhuar pothuajse njësoj sa kompania security private. Do të kontrollohen në mënyrë të imtësishme dhe të rreptë çdo tifoz. Ndërkohë hyrja në stadium do të ketë një tjetër filter për të gjithë tifozët që nuk ka qenë. Biletat do të kontrollohen paraprakisht me pajisjet që janë marrë për këtë ndeshje. Biletat janë elektronike, do të kontrollohen në kordonin e parë dhe në qoftë se bileta është e vlefshme çdo tifoz do të procedojë dhe do të bëjë edhe një kontroll tjetër në tribunën përkatëse”, tha Kodra.

Ai tregoi se edhe Tifozët Kuq e Zi kanë menduar për dy surpriza gjatë ndeshjes. Ndërkohë në pushimin e ndeshjes do të performojë këngëtarja e njohur Shkurte Fejza.

“Mesa kam parë unë do të ketë të paktën dy banderola, që do i lemë surprizë. I kushtohen finaleve të Europianit 2024. Tifozët janë që tani me mendje tek finalet pavarësisht se na kanë mbetur ende 3 ndeshje dhe asgjë nuk është vendosur, por sigurisht tifozët kanë pritshmëritë e veta. Në pushim të ndeshjes do të kemi edhe një të ftuar special, do të kemi Shkurte Fejzën që do të performojë para tifozëve”, tha Kodra.

Atmosfera e ndeshjes pritet jetë vërtetë shumë e zjarrtë. Siç tha Kodra, deri më tani, skuadra ka mbetur e paprekur nga kjo eufori.

“Lojtarët, stafi janë të fokusuar dhe të ndërgjegjshëm që të bëjnë një ndeshje fantastike sot për të kënaqur tifozët”, tha ai.

Thirrja e Kodrës ishte që të mos hedhin sende dhe flakadanë.

“Rrezikojmë. Kemi një paralajmërim nga UEFA që rrezikojmë të na mbyllin tribunat në ndeshjen tjera apo të mbyllet i gjithë stadiumi nëse përsërisim të njëjtat gjëra”, tha Kodra.

Ndeshja Shqipëri-Çeki do të transmetohet falas në Tv Klan./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share