Sondazhet e fundit tregojnë se rreth 70 për qind e qytetarëve besojnë se qeveria nuk po menaxhon me sukses problematikat dhe krizat e vendit

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, një shumicë prej 70% të qytetarëve të anketuar në Maqedoni ndjejnë se vendi po ecën në një drejtim të gabuar, ndërsa vetëm 16.5% mendojnë se drejtimi është i duhuri. Krimi dhe korrupsioni vazhdojnë të mbeten si shqetësimi kryesor për 29.2% të të anketuarve, ndjekur nga inflacioni dhe rritja e çmimeve me 17.6%, dhe papunësia me 14.2%.

Një pjesë e madhe, 66.6%, besojnë se qeveria nuk po menaxhon me sukses këto probleme, dhe vetëm 5.7% janë të mendimit se po e bën këtë me sukses. Në një shkallë nga 1 në 10, performanca e Qeverisë është vlerësuar me një mesatare prej 3.03. Si pasojë, 71.4% e të anketuarve nuk mendojnë se Qeveria e meriton një mandat tjetër.

Në pyetjet për besimin në politikanë dhe liderët politikë, Hristijan Mickoski merr vendin e parë me 25.1% dhe 16.6% të votave, ndërsa Maxim Dimitrievski tregon një popullaritet më të lartë se Stevo Pendarovski. Në komunitetin shqiptar, Ali Ahmeti mban vendin e parë me 11.6% dhe 6.9%, ndërsa Arben Taravari është i dyti. Sondazhi gjithashtu tregon një rënie në popullaritetin e Dimitar Apasiev dhe partisë së tij të majtë.

Kryeministri aktual dhe kreu i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ka një popullaritet prej 5.6% si politikan dhe 4.9% si kryetar partie. Megjithatë, një përqindje e lartë prej 49.2% e qytetarëve nuk besojnë në asnjë lider të partive politike në Maqedoni.

Përqindja e daljes së qytetarëve për të votuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ka shënuar rritje, me 66.6% të të anketuarve që thonë se do të votojnë më 8 maj, krahasuar me 60% në dhjetor. Sipas vlerësimit të partive politike, koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE është në epërsi me 27.2% të votave, ndërsa një koalicion i udhëhequr nga LSDM do të fitonte 10.7% të votave.

Sondazhi u krye nga 15 deri më 24 mars përmes metodës CATI, me një kampion prej 1200 të anketuarve, duke pasqyruar përfaqësimin e Maqedonisë në nivel rajonal, gjinor, mosha dhe përkatësia etnike sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2021. Gabimi statistikor është 3% me një interval besueshmërie prej 99%.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share