Si e “mundi” Zvicra inflacionin? – Faktorët kryesorë, shpenzimet e ulta për ushqim dhe prodhimi në vend i energjisë

Një nga vendet më të pasura në botë, Zvicra njihet për koston e lartë të jetesës, me Zyrihun dhe Gjenevën që renditen vazhdimisht në mesin e 10 qyteteve më të shtrenjta në botë për të jetuar. Por, ndërsa inflacioni po arrin nivele rekord dhe po shfaqet si një nga problemet më të mëdha për konsumatorët, për qeverinë dhe bankën qendrore në Zvicër, situata duket se nuk është aq urgjente.

Në vitin 2022, inflacioni në Zvicër ishte mesatarisht 3.5%. Ky mund të jetë niveli më i lartë i regjistruar në vend në 29 vitet e fundit, por nuk krahasohet me ato të ekonomive të tjera të zhvilluara. SHBA regjistruan inflacion prej 9.1% vitin e kaluar, Eurozona 10.6% dhe Mbretëria e Bashkuar 11.1%. Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Zvicrës, inflacioni në vend pritet të bjerë në 2.4% këtë vit dhe në 1.8% në vitin 2024.

Rritja e çmimeve nuk është një çështje aq e madhe për zviceranët. Një qytetar me të ardhura mesatar zotëron 696,604 dollarë pasuri dhe zviceranët shpenzojnë një përqindje më të vogël të të ardhurave të tyre për ushqim dhe nevoja të tjera, kështu që ata janë më pak të prekur nga rritja e çmimeve.

Një arsye tjetër për stabilitetin relativ të çmimeve në Zvicër është franga e fortë, e cila u barazua me euron në vitin 2022, sepse mbështetet nga rezervat e larta të arit, obligacioneve dhe aktiveve të tjera. Kështu që, konsiderohet një strehë e sigurt investimi në kohërat e luhatshmërisë së shtuar. Duke qenë se Zvicra importon mallra dhe shërbime me vlerë 302 miliardë dollarë çdo vit, franga e fortë mban nën kontroll koston e këtyre importeve.

Në të njëjtën kohë, Zvicra është disi e mbrojtur nga kriza energjetike që prek pjesën tjetër të Europës. Ky vend me male dhe më shumë se 1500 liqene mbështetet shumë në hidrocentralin për energjinë që konsumon.

Për më tepër, ofruesit e energjisë në Zvicër janë kryesisht në pronësi të shtetit, që do të thotë se ata janë më pak të ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut, ndërsa tarifat e tyre i nënshtrohen rregulloreve më të rrepta. Në fund të vitit 2022, çmimet e energjisë në Zvicër ishin rritur me 16.2%, ndërsa në Gjermani 25%, në Holandë 30%, Britani 52.3% dhe në Itali me 64.7%.

Në Zvicër, 30% e çmimeve të mallrave bazë të përdorura për të matur inflacionin në Eurozonë (ushqimi, banesa, transporti) janë gjithashtu objekt rregullimi, duke rezultuar në një rritje prej 4% me bazë vjetore në dhjetor 2022, krahasuar me një rritje prej 11.9% në SHBA, 19.8% në Gjermani dhe 16.9% në Mbretërinë e Bashkuar.

SCAN

Lexo gjithashtu
Total
0
Share