MICEVSKI: QEVERIA PO RRËNOHET SI KULLË PREJ LETRE
Gjatë seancës plenare të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, partitë politike nuk kanë lëshuar rastin për të përcjellur porosi politike nga foltorja e Kuvendit, por edhe për të drejtuar kritika ndaj njëra tjetrës. Shumica parlamentare është shprehur e bindur se edhe përkrah faktit që në 100 ditët e ardhshme, vendi do të funksionojë me qeveri teknike, do të vazhdohen proceset strategjike të shtetit.
“Unë jam i bindur se, edhe Kuvendi i udhëhequr nga kryetari i ardhshëm, Jovan Mitrevski edhe qeveria e ardhshme e udhëhequr nga kryeministri i ardhshëm Xhaferi, të udhëhequr nga parime demokratike dhe të vendosur fuqishëm për të siguruar ardhmëri më të mirë për qytetarët tanë do t’i vazhdojnë dhe avancojnë proceset që filluan periudhën e kaluar” – tha Martin Kosovski, LSDM.
Arbër Ademi nga BDI, tha se, pret që të rritet numri i deputetëve dhe politikanëve që do të mbështesin politikat që e çojnë shtetin drejt BE-së.
“Është obligim i yni që në periudhën vijuese të krijojmë kushte për proces zgjedhor fer dhe demokratik, por gjithashtu kemi obligim ta vazhdojnë rrugën evropiane që e kemi trasuar vitet e fundit, rrugë për të cilën nuk kemi alternativë dhe nuk guxojmë ta lëshojmë” – tha Ademi nga BDI
Nga ana tjetër, Nikolla Micevski nga VMRO – DPMNE tha se me dorëheqjet e qeverisë dhe kryeparlamentarit Xhaferi, filloi rrënimi i këtij pushteti, i bindur se pas zgjedhjeve të majit, nuk do t’iu kthehen më pozitave udhëheqëse.
“Sot është ditë e madhe. Ditë në të cilën kjo qeveri vazhdon të rrënohet dalëngadalë por sigurt, pjesë pas pjese, funksionar pas funksionari, si kullë prej letre. Proces i cili filloi dje nga Kovaçevski, vazhdon sot, ndërsa do të përfundojë në ditën e zgjedhjeve në maj” – tha Micevski.
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, Kuvendi gjatë fundjavës do të zgjedhë edhe qeverinë teknike, e cila ka për detyrë të organizojë zgjedhje demokratike. /KlanMacedonia/