Shuhen shpresat për gjetjen e emigrantëve në Greqi

Dëshmi të reja kanë dalë në dritë në lidhje me tragjedinë ku humbën jetën 79 emigrantë në jug të Peloponezit në Greqi. Dy regjistrime me audio janë publikuar mes aktivistes Nawal Sufi dhe refugjatëve pak minuta para mbytjes fatale të anijes. Aktivistja kishte kontaktuar me refugjatët rreth orës 01:25 deri në 01:52 të mëngjesit të së mërkurës.

Aktivistja: Gjithçka do të jetë mirë, mos shkoni majtas apo djathtas, prisni atje derisa të vijë ndihma.

Pasagjeri: Nuk duam që anija të përmbyset.

Aktivistja: Varka do të vijë t’ju sjellë ujë, por kujdes nëse shkoni të gjithë në një vend, varka do të përmbyset.

Në regjistrimin e dytë me audio, një nga refugjatët i thotë aktivistes se një nga bashkudhëtarët e tij ka vdekur.

Refugjati: Një burrë nga varka ime, thotë se kanë vdekur 6 persona.

Aktivisti: 6 personat janë të moshuar apo foshnje?

Refugjati: Nuk e di.

Aktivisti: Më lejoni të flas me rojen bregdetare. Më dërgoni një mesazh ose më telefononi. Vetëm një ose dy ose tre varka do të vijnë t’ju ndihmojnë. A më kuptove?! Unë jam i sigurt se ata do t’ju gjejnë dhe do t’ju shpëtojnë. Jini të durueshëm, kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por ata do të vijnë.

Por pas përfundimit të kësaj bisede aktivistja humbi kontaktet me refugjatët.

Ndërkaq bashkëshorti i njërës prej emigranteve që ishte në varkë ende vijon kërkimin për të edhe pse shpresat janë zbehur.

“Nuk morëm miratimin për kërkesën për azil për gruas sime në Gjermani ku unë punoj. Aplikimi u vonua. Ajo pagoi 4500 dollarë për udhëtimin e saj”.

Numri i trafikantëve të arrestuar ka arritur në nëntë. Ata u arrestuan për trafik të paligjshëm të të huajve, përfshirje në organizatë kriminale, vrasje me dashje ndaj emigrantëve nga pakujdesia.

Autoriteti Portual i Kalamatës me asistencën e oficerëve të Drejtorisë së Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kufirit Detar si dhe EUROPOL, u bë arrestimi i kontrabandistëve. Të gjithë të arrestuarit janë egjiptianë të moshës nga 20 deri në 40 vjeç. Ndërkaq sipas mediave greke kapiteni mësohet se është ndër ata që humbën jetën.

Kërkimet për personat e zhdukur kanë vazhduar gjatë gjithë natës pa rezultat. Fakti që prej afro dy ditësh nuk është gjetur asnjë person i zhdukur i bën autoritetet pesimiste dhe ngjall frikën se numri i atyre që kanë humbur jetën është edhe më tragjik. Nga dëshmitë e të mbijetuarve, të cilët megjithatë nuk mund të kenë një pasqyrë të qartë, është dëgjuar se në bord ndodheshin nga 500 deri në 750 persona.

Ndërkaq në Athinë, qindra protestues dolën në rrugë për të protestuar ndaj trajtimit të azilkërkuesve dhe emigrantëve pas mbytjes së tmerrshme të anijes në Pylos. Demonstruesit kaluan pranë ndërtesës së parlamentit grek dhe zyrave të BE-së ku kërkuan drejtësi. Por policia greke sulmoi njerëzit paqësorë që demonstronin për fundosjen tragjike të varkës. Ata hodhën granata për të shpërndarë protestuesit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share