Spasovski: Qytetarët të mos shpejtojnë, kemi afat deri në vitin e ardhshëm
“Nxjerrja e një dokumenti personal tashmë do t’ju kushtoj më shumë. Gjëgjësisht pasaporta do të kushtoj 2 mijë denarë, nxjerrja e patent shoferit 410 denarë dhe letërnjoftimi 310 denarë”, thotë gazetarja Arbana Q. Klimenta.
Ndryshimi i çmimeve vjen si pasojë e rritjes së çmimeve të blerjes së formularëve të importuar, rritjes së kostove për mirëmbajtjen e sistemit, që kryhet nga një operator ekonomik i huaj, si dhe blerjes së makinerive të reja.
“Duke marrë parasysh se gjithçka është shtrenjtuar prita që të shtrenjtohen edhe dokumentat personale. Kam ardhur të nxjerr pasaportë të re 500 denarë është më shtrenjtë tash, më duket relativisht më shtrenjtë se si ka qenë”, thotë një qytetare.
“A e dini se do të shtrenjtohet? Jo”, thotë qytetari.
Përveç ndërrimit të dokumentave personale do të duhet të bëhet ndërrimi i targave të veturave me emërtimin e ri NMK, që rezulton nga Marrëveshja e Prespës. E kjo do t’i kushtojë qytetarët 11 milionë euro e këtë qytetarët duhet të bëjnë deri më 12 shkurt 2024.
“Ne e dimë që detyrimi ynë është ndryshimi i targave deri në vitin e ardhshëm, siç është me dokumentet personale. Mendojmë se në një kohë shumë të shkurtër do të kemi një zgjidhje që do të ishte e favorshme për qytetarët. Të paktën kështu shpresoj dhe pres, nga ana tjetër duhet të vendosen norma dënimesh të rrepta për të gjithë ata që nuk do ta respektojnë këtë si zgjidhje. Duhet të bëjmë një kombinim që do të jetë në interes të qytetarëve, por edhe të ketë përgjegjësi serioze”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Çmimi i pasaportës për person deri në 27 vjeç do të mbetet i pandryshuar dhe do të jetë 1.500 denarë, por pasaporta për person mbi 27 vjeç do të jetë 2.000 denarë, që është një rritje prej 500 denarëve.
Çmimi i letërnjoftimit do të jetë 310 denarë, që është rritje prej 120 denarëve.
Çmimi i patentës së shoferit do të jetë 410 denarë, që është rritje prej 130 denarëve.
Çmimi i pasaportës me procedurë urgjente do të jetë 6.100 denarë, që është rritje prej 1.600 denarëve.
Çmimi i patentë shoferit me procedurë urgjente do të jetë 1230 denarë, që është rritje prej 390 denarëve.
Përndryshe, letërnjoftimet, pasaportat, lejet e vozitjes dhe tabelat e veturave që e kanë mbishkrimin “Republika e Maqedonisë” pavarsisht dates së skadimit, do të vlejnë më së voni deri më 12 shkurt të vitit 2024, pas kësaj date ata nuk do të jenë më të vlefshme. Sipas Ligjit për automjete, nëse automjeti është në komunikacion me targa të ndryshme nga ato të përcaktuara, parashihet gjobë./KlanMacedonia/
Përgatiti: Arbana Q. Klimenta