Barazimi me Çekinë në Pragë ka motivuar maksimalisht Kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjen me Poloninë.
Ndeshja Shqipëri – Poloni zhvillohet të dielën mbrëma (20:45) në “Air Albania”, në Tiranë.
Kuqezinjtë të enjten morën pikë të madhe duke luajtur 1:1 në udhëtim ndaj Çekisë. Shqipëria nuk shkëlqeu, por barazoi falë supergolit të Nedim Bajramit.
Tani e ka ndeshjen tjetër vendimtare për kualifikim në “Euro 2024”. Besimi është i madh se Shqipëria do ta mposhtë Poloninë dhe do t’i afrohet Evropianit në Gjermani.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho ka theksuar se lojtarët do “të japin shpirtin në fushë” në ndeshjen ndaj polakëve. Ai pret edhe përkrahje të madhe nga tribunat.
“Pres që skuadra të ketë sjelljen e duhur në fushë, duke vendosur zemrën dhe shpirtin. Do të kemi një stadium plot me 20 mijë tifozë. Me mbështetjen e popullit shqiptar mund të bëjmë diçka të madhe. Ne do të hyjmë në fushë për të bërë një ndeshje shumë të mirë. Lojtarët përgatiten gjithmonë për fitore, por përballë kemi një kundërshtar që ka gjithashtu objektivat e veta. E rëndësishme është që të mos humbim. Në krahasim me Çekinë, Polonia është ndryshe. Duhet të përgatitemi mirë, por edhe për ne ka limite. Ne duhet të hyjmë në fushë me zemër e shpirt, por edhe të përgatitur për ndeshjen”, ka thënë Sylvinho të shtunën në konferencë për shtyp.
Polonia bazohet shumë në superyllin Robert Lewandowski dhe këtë e di edhe tekniku brazilian i Shqipërisë.
“Lewandowski është i një niveli të rëndësishëm, por Polonia ka edhe të tjerë. Ne i respektojmë të gjithë, mendoj se niveli i përqendrimit duhet të jetë shumë lart. Por në një ndeshje të tillë nuk është vetëm Lewandowski, janë shumë të tjerë. E rëndësishme është që edhe ata do të shqetësohen për lojtarët e fortë që kemi ne. Por pa dyshim që respektohet historia e lojtarëve shumë të fortë që kanë ata”, ka shtuar Sylvinho.
Në konferencë ka folur edhe Ylber Ramadani, mesfushori ferizajas. Ai po paraqitet në nivel të lartë te Shqipëria dhe tashmë është stabilizuar në ekipin bazë.
“Atmosfera në grup është shumë e mirë. E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne jemi përgatitur për të bërë më të mirën. Shpresoj të marrim rezultat pozitiv”, ka thënë Ramadani.
Shqipëria është e dyta në grup me shtatë pikë nga katër ndeshje. Tetë pikë në vendin e parë i ka Çekia, ndërsa Polonia është e treta me gjashtë pikë. Pason Moldavia me pesë pikë dhe Ishujt Faroe me një.
Fitoren në Tiranë e kërkon edhe Polonia. Këtë e ka bërë të qartë përzgjedhësi I polakëve, Fernando Santos.
“As unë dhe as trajneri i Shqipërisë nuk hyjmë për barazim, secila skuadër do të luajë për të fituar. Shqipëria është një kundërshtar me shumë cilësi, do të luftojmë. Është një skuadër që zhvillohet vazhdimisht, kam qenë në krye të një skuadre që është ndeshur me Shqipërinë në 2016 dhe jam i vetëdijshëm për forcën e tyre. Është një skuadër e mirorganizuar dhe me cilësi shumë më të mirë se më parë. E njoh mjaft edhe trajnerin e kundërshtarëve. Është një skuadër që di të mbrojë dhe të sulmojë, është e organizuar dhe nesër të dyja skuadrat do të luajmë për fitore”, ka thënë Santos.
Polonia kishte fituar 1:0 ndaj kuqezinjve më 27 mars, në Varshavë. Por paraqitja e Shqipërisë ishte e denjë dhe shpresat janë të mëdha se revanshi mund të ndodhë të dielën mbrëma në Tiranë.