Shpërthimi në ndërtesën 4-katëshe në Marsejë, nxirren 2 trupa të pajetë nën rrënoja

Pas një shpërthimi që rrafshoi një ndërtesë katërkatëshe në Marsejë të Francës, 2 trupa të pajetë janë gjetur nën rrënoja. Autoritetet njoftuan se 6 persona raportohen të zhdukur, ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë nën rrënoja. Shpërthimi ndodhi në lagjen La Plaine mbrëmjen e kaluar. Shkaku mbetet i paqartë, por hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një rrjedhje gazi.

Pesë persona nga ndërtesat aty pranë pësuan lëndime të lehta dhe rreth 200 të tjerë u detyruan që të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. 2 blloqe aty pranë u shembën pjesërisht disa orë më vonë pa shkaktuar lëndime shtesë.

Kryetari i Bashkisë së Marsejës, Benoit Payan, paralajmëroi ditën e sotme se ndërtesat aty pranë ishin në rrezik të shembjes.

Në vendin e ngjarjes shkuan rreth 100 zjarrfikës për të shuar flakët. Zjarri e bëri të vështirë për ekipet e shpëtimit që të përfshinin edhe qentë e ekipit për të gjetur të mbijetuar, megjithatë autoritetet thanë të dielën në mbrëmje se zjarri po tregonte shenja të shuarjes.

Mendohet se ndërtesa ka pasur një apartament në çdo kat dhe zyrtarët e qytetit thanë më herët se të zhdukurit përfshinin dhe një çift të ri.

Në një deklaratë të shkurtër që njoftonte zbulimin e trupave, zjarrfikësja tha se “duke pasur parasysh vështirësitë e ndërhyrjes, nxjerrja e trupave nga rrënojat do të marrë kohë”.

Një gjimnaz lokal dhe dy shkolla janë hapur për të akomoduar njerëzit që u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre. Gjithashtu ofrohet mbështetje psikologjike./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share