Shkup: Nis sezoni i ngrohjes – energjensa deri në fund të muajit

BEKTESHI: S`DO TË KETË RESTRIKSIONE PËR NGROHJEN DHE RRYMËN

Në qytetin e Shkupit sot filloi sezoni i ngrohjes qendrore, megjithatë energjensa për prodhimin e energjisë termike ka vetëm deri në fund të muajit tetor. Vasko Kovaçevski, drejtori i SHA EMV, e cila të premten mori licencat për prodhim, distribuim dhe furnizim të energjisë termike tha se, në periudhën e ardhshme do të sigurohen energjensa për prodhimin e energjisë për ngrohje jo vetëm për nëntorin por deri në fund të sezonit të ngrohjes.

“Qytetarët janë siguruar me energji termike, për shkak se kemi siguruar energjensa deri në fund të muajit, kurse me mënyrën se si do të funksionojë centrali privat i gazit TE-TO do të dimë nëse do ta tërheqim energjinë e ngrohjes nga atje ose plotësisht do të prodhojmë energji në ngrohtoret tona që i kemi me qira nga SH.A “Adora” në ngrohtoret Lindje dhe Perëndim”, deklaroi Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.

Edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se, të gjitha parapërgatitjet janë bërë dhe iu bëri thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke siguruar sei kapacitetet e institucioneve janë në nivelin e duhur dhe amvisëritë dhe kompanitë nuk do të kenë ndërprerje të energjisë termike dhe elektrike.

“Në lidhje me restriksionet, nuk parashihet të ketë asnjë restriksion në pjesën e furnizimit me energji termike dhe në pjesën e furnizimit me energji elektrike. Të gjitha energensat janë siguruar. Pse ne si shtet bëjmë furnizime të këtilla!? Sepse në rast se ne do t’i furnizonim këto energjensa para një apo dy muaj do t’i kushtonte shtetit trefish më shtrenjtë nga ajo që e kemi sot. Çmimi me të cilin e kemi furnizuar gazin natyror për këto dy javë është më e lartë nga ajo që e kemi sot si ofertë për muajin nëntor”, deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Kujtojmë se paraprakisht, kompania BEG humbi tri licencat që i kishte për energjinë termike. Edhe pse, momentalisht, shteti ka furnizuar gaz vetëm për dy javë, autoritetet janë të bindur se do të ketë ngrohje qendrore. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 60 mijë amvisëri në Shkup përdorin ngrohje qendrore./KlanMacedonia/

Gazetar: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share