Escobar: Kosova e Shqipëria në BE në vitin 2030
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka zbutur tonet me kryeministrin kosovar Albin Kurti duke e konsideruar ate si një “partner të SHBA-së, ndonëse e ka cilësuar nganjëherë si një partner të vështirë”.
“Zoti Kurti është partner i yni. Nganjëherë është një partner i vështirë, por është partner. Kosova është partnere e jona. Serbia është partnere e jona. Pra, në të ardhmen dëshirojmë të përfitojmë nga marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe nga përmirësimi i marrëdhënieve që kemi me Serbinë.”
Escobar ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Ohër.
“Ne në Ohër arritëm një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Për Serbinë kjo do të thotë t’i japë fund bllokimit të Kosovës drejt integrimit evropian dhe ndërkombëtar. Për Kosovën, kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duhet të punojmë në të dy këto fusha.”
Escobar ka thënë se po të pyetej SHBA-ja, gjithë Ballkani Perëndimor do të ishte në Bashkim Evropian deri në vitin 2030.
“Unë supozoj se deri në vitin 2030, të gjitha vendet e rajonit do të jenë në rrugën e tyre të mirë për të përmbushur kushtet për anëtarësim të plotë në Bashkim Evropian.“
Për Qeverinë e SHBA-së, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.
“Rajoni ka potencial për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka universitete të shkëlqyera, një fuqi punëtore të talentuar dhe një fuqi punëtore relativisht të re.”
SHBA-ja e ka fajësuar Kurtin për tensionet e fundit, ndërsa kanë kërkuar që kryetarët shqiptarë të mos futeshin në objektet komunale të komunave në veri. Ndërkombëtarët kane kërkuar zgjedhje të reja në veri, duke garantuar pjesëmarrjen e serbëve, por deri tani nuk ka asnjë marrëveshje mes palëve.
Klan News