ShBA-ja i kërkon Serbisë të tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.

Kirby tha se gjatë bisedës që sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, zhvilloi më herët gjatë ditës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar që Serbia të ulë tensionet.

Kirby tha se incidentet e dhunshme, sikurse ai i majit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe ai në Banjskë, paraqesin rrezik jo vetëm për personelin e sigurisë së Kosovës, por edhe të NATO-s.

“Ky cikël shqetësues i dhunës është përkeqësuar”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më herët ka kërkuar që autorët e krimit të “mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”.

Vuçiq, ndërkaq, më herët tha se Blinken ka paralajmëruar masa ndaj Serbisë.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share