Shakira rrezikon burgun

Telashet për këngëtaren Shakira nuk kanë të ndalur. Teksa ende nuk e ka marrë veten plotësisht nga ndarja me partnerin e saj Gerard Pique, Shakira rrezikon burgun.

Ajo mund të përballet me një dënim me më shumë se tetë vite burg pasi mbi të rëndojnë akuzat për evazion fiskal. Konkretisht bëhet fjalë për periudhën tre vjeçare midis 2012 dhe 2014.

Këngëtarja kolumbiane ka pohuar se nuk ka jetuar në Spanjë gjatë këtyre viteve, ndërsa partneri i saj i atëhershëm Gerard Pique luante për Barcelonën. Inspektorët e taksave kaluan më shumë se një vit duke ndjekur lëvizjet e artistes madje duke vizituar parukierët e saj të preferuar në Barcelonë për të provuar se ajo e kaloi pjesën më të madhe të kohës në Spanjë gjatë kësaj kohe në ndryshim nga çfarë kishte deklaruar. Një gjyqtar në Barcelonë ka rënë dakord që këngëtarja duhet të shkojë në gjyq, data e saktë ende nuk është bërë e ditur, por pritet në muajt në vijim.

Sipas Prokurorisë, në vitet 2012, 2013 dhe 2014, Shakira kalonte më shumë se 183 ditë në vit në Spanjë, duke e bërë atë një qytetare që ka detyrime ndaj shtetit ashtu si të tjerët. E vetmja periudhë që ajo kaloi jashtë Spanjës  rezulton të jetë kur ishte në SHBA kur ishte në jurinë në “The Voice”.

Përveç një dënimi me tetë vjet burg, prokurorët kërkojnë që nëna e dy fëmijëve të goditet me një gjobë prej 23 milionë eurosh. Deri më tani artistja ka mohuar akuzat e ngritura ndaj saj.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share