Scholz e Macron takojnë Vuçiqin

Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi zhvillohet në Bruksel më 27 Shkurt

Hartuesit e të ashtuquajturit plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kancelari Olaf Scholz, presidenti Emmanuel Macron, shfrytëzuan Konferencën e Sigurisë në Mynih për t’i bërë presion presidentit serb Aleksandar Vuçiç të pranojë planin dhe të ulet në dialog. Tre udhëheqësit u takuan në Mynih por nuk dhanë hollësi rreth temave të diskutimit.

Takimi ndodhi ditën që Kosova kremtoi përvjetorin e pesëmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë nga Serbia.

Kosova kërkon të arrijë një marrëveshje përfundimtare me njohje të ndërsjellë. Ndërsa Serbia kërkon themelimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve është një kusht kryesor për Serbinë dhe Kosovën që të përparojnë drejt anëtarësimit në BE.

Ndërkohë zyrtarët e BE-së njoftuan më herët të Premten se presidenti Vuçiç do të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Bruksel më 27 Shkurt për të diskutuar planin 11 pikash të paraqitur në mes të vitit 2022.

Pas takimit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të ketë takime të veçanta me ta. Kurti dhe Vuçiç nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga Nëntori i vitit 2022.

Palët kanë konfirmuar se e pranojnë planin franko-gjerman, por ai nuk është bërë publik.

Sipas planit, Beogradi do të ndalojë lobimin kundër pavarësisë së Kosovës dhe do ta lejojë vendin të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, përfshirë në Kombet e Bashkuara.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share