Rusia: “Stadfast Defender” shënon rikthimin e Luftës së Ftohtë

Sipas zv.ministrit të Jashtëm, kjo stërvitje është një tjetër element i luftës hibride nisur nga Perëndimi

Stërvitja e NATO-s ‘Steadfast Defender 2024’ shënon një “kthim të pakthyeshëm” të aleancës në skemat e Luftës së Ftohtë.

Kështu ka deklaruar zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë Alexander Grushko për agjencinë shtetërore të lajmeve RIA për të cilën shprehet se stërvitja është një tjetër element i luftës hibride të nisur nga Perëndimi kundër Rusisë.

“Kjo stërvitje shënon kthimin përfundimtar dhe të pakthyeshëm të NATO-s në skemat e Luftës së Ftohtë, kur procesi i planifikimit ushtarak, burimet dhe infrastruktura po përgatiten për konfrontim me Rusinë, u shpreh Grushko.

NATO gjatë kësaj jave konfirmoi fillimin e një stërvitje shumë herë më të madhe që nga Lufta e Ftohtë, që përfshin rreth 90,000 trupa e që synon të provojë se si trupat amerikane mund të përforcojnë kufijtë e aleatëve europianë me Rusinë, në krahun lindor të aleancës, në rast se do të ndizet një konflikt.

‘Steadfast Defender 2024’ do të zgjasë deri në Maj. Do të marrin pjesë në manovra mbi 50 anije nga aeroplanmbajtëset deri tek shkatërruesit, si dhe mbi 80 avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë dhe të paktën 1,100 automjete luftarake, duke përfshirë 133 tanke dhe 533 automjete luftarake të këmbësorisë, tha NATO.

Vende të tjera kryesore të stërvitjeve do të jenë shtetet baltike, të cilat shihen si më të rrezikuara nga një sulm i mundshëm rus, Gjermania një qendër për përforcimet e ardhshme, dhe vendet në skajet e aleancës si Norvegjia dhe Rumania.

Planet e para të mbrojtjes që aleanca ka hartuar në dekada detajojnë mënyrën e përgjigjes ndaj një sulmi rus.

NATO nuk e përmendi Rusinë në njoftimin e saj. Por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e anëtarëve të aleancës.

Moska dhe kryediplomati i saj ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, kanë akuzuar shpesh Perëndimin për kryerjen e një “lufte hibride” kundër Rusisë duke mbështetur Ukrainën përmes ndihmës financiare dhe ushtarake.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share