Rusia ndërpret sërish furnizimin me gaz për Europën

Rusia ka ndërprerë sërish furnizimin me gaz për Europën duke thënë se shkak është bërë një defekt teknik dhe nevojiten riparime.

Kompania shtetërore ruse Gazprom tha se kufizime e furnizimit me gaz në gazësjellësin Nord Stream 1 do të zgjasin për 3 ditë.

Kompania ka hedhur poshtë edhe akuzat se kufizimin e furnizimeve me gaz Rusia e përdor si një mënyrë hakmarrje ndaj sanksioneve që kanë vendosur vendet Perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Gjatë muajve të fundit Rusia e ka reduktuar ndjeshëm eksportin e gazit nëpërmjet tubacionit Nord Stream 1.

Ky tubacion ka një gjatësi 1200 km nën Detin Baltik nga bregu rus pranë Shën Petërsburgut deri në Gjermaninë verilindore.

Edhe në muaji Korrik ky tubacion që furnizon me gaz Europën u mbyll për 10 ditë, sërish për riparime teknike.

Kohët e fundit, Gazpromi, përmes këtij tubacioni, ka ulur furnizimin me gaz për Europën në 20%.

Vendet Perëndimore druhen se Rusia mund të zgjasë periudhën e kufizimeve të furnizimit me gaz si një përpjekje që të ndikojë në rritjen e çmimit të gazit, që tashmë është rritur me 400%.

Dimri shihet si një periudhë e vështirë nga liderët e vendeve të BE, për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe të energjisë elektrike. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share