Rusia arreston gazetarin e The Wall Street Journal

Moska dyshon se ai jepte informacione për Uashingtonin, gazeta e quan akuzën të motivuar politikisht

Shërbimi i sigurisë se Moskës ka arrestuar një reporter amerikan të The Wall Street Journal, Evan Gershkovich, i dyshuar për spiunazh për Uashingtonin.

Ky i fundit u arrestua gjatë një udhëtimi teksa po raportonte në qytetin Urals të Ekaterinburgut. Gazeta Kommersant, duke cituar burime, tha se ai do të sillet nga qyteti në Moskë ku do të akuzohet zyrtarisht.

Gazetari 31-vjeçar ka jetuar në Moskë për gjashtë vjet, flet rrjedhshëm rusisht dhe ishte akredituar si gazetar në Ministrinë e Jashtme të Rusisë. Më herët Gershkovich kishte punuar në Rusi për Moscow Times dhe Agence France-Presse.

Para arrestimit të tij, Gershkovich po punonte në një histori për Wagner, i cili ka bërë pjesën më të madhe të luftimeve në Ukrainë. Kjo është hera e parë që një gazetar i huaj akuzohet për krime që nga fillimi i luftës dhe Gershkovich është gazetari i parë amerikan që akuzohet për spiunazh në Rusi që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, shkroi në Telegram se nuk ishte hera e parë që akreditimi gazetaresk përdorej në Rusi si “mbulesë” për aktivitete të tjera. Miqtë dhe kolegët e Gershkovich i cilësuan akuzat si absurde dhe qesharake si dhe të motivuara politikisht.

Në fushën e betejës forcat ruse kanë korrur disa fitore të vogla në qytetin lindor Bakhmut. Trupat ruse dhe mercenarët e Wagner kanë siguruar territor në jug dhe jugperëndim të qytetit.

Shumë ekspertë për luftën janë shprehur se Ukraina do të kundërpërgjigjet për aq kohë sa Rusia do të vazhdojë ofensivën e saj.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share