Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren dhe nuk ka nevojë për marrëveshje të re, ka thënë ekskluzivisht për Klan Maqedoni, zëvendës ministri i Mjedisit Planifikimit Hapsinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Hysen Durmishi.
Duke komentuar deklaratën e zëvendës ministres Kaltrina Zekolli se me 4 nëntorë do të nënshkruhet marrëveshja për rrugën Tetovë-Prizren, Durmishi ka thënë se sigurisht është ndonjë keqkuptim procedural dhe se për këtë projekt duhet vetëm formimi i grupeve të punës mes dy ministrive.
“Mesiguri është ndonjë keqkuptim procedural për shkak se ne kemi nënshkruar një marrëveshje Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për financimin e hartimit të projektit kryesor të tunelit në rrugën Prizren-Tetovë. Nuk ka nevojë për nënshkrim të marrëveshjes së re por e kemi obligim sipas që ti formojmë grupet e punuese nga pesë persona nga të dya palët të cilat grupe punuese më pastaj do ti ndjekin të gjitha hapat e nevojshëm deri në hartimin e projektit kryesorë”, deklaroi Durmishi për Klan.
Durmishi ishte i prerë dhe i vendosur se nuk ka nevojë për marrëveshje të re sepse siç tha, Kosova e ka ratifikuar në Kuvend marrëveshjen e kaluar si marrëveshje ndërkombëtare. Shton se Kosova do të jetë vetëm monitoruese e procesit dhe se procedurat do ti ndjekë Maqedonia e Veriut.
“Nuk ka nevojë për marrëveshje të re sepse marrëveshjen të cilën e kemi nënshkruar ne e kemi ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës si marrëveshje ndërkombëtare. Pala e Kosovës do të jetë vetëm monitoruese e procesit në bazë të marrëveshjes, procedurat i ndjek pala e Maqedonisë së Veriut”, tha ekskluzivisht për Klan Maqedoni Hysen Durmishi.
Ndryshe për këtë projekt ka reaguar edhe ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bekim Rexhepi, duke përkujtuar momentin e nënshkrimit të marrëveshjes mes dy palëve në të cilën është nënshkruar edhe ai vet personalisht derisa mbante pozitën e zëvendësministrit të transportit në Qeverinë LSDM-BDI.