Rriten tensionet mes Kinës dhe Tajvanit

Pekini kryen stërvitje masive rreth ishullit

Ushtria kineze ka simuluar sulme precize kundër objektivave kyçe të Tajvanit dhe ujërat përreth tij në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake.

Stërvitjet, të cilat Pekini i ka quajtur një “paralajmërim të ashpër” për ishullin vetëqeverisës janë një përgjigje ndaj presidentit të Tajvanit që vizitoi SHBA javën e kaluar.

Tajvani tha se të paktën 71 avionë kinezë fluturuan rreth ishullit të shtunën. 45 avionë luftarakë kaluan vijën mesatare të ngushticës së Tajvanit që njihet si kufi mes dy vendeve.

9 anije kineze u vunë re gjithashtu në afërsi të ujërave territoriale. Operacioni, i quajtur “Shpata e Përbashkët” nga Pekini, do të vazhdojë deri të hënën.

Zyrtarët tajvanezë e dënuan ashpër këtë sjellje të Pekinit. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit i kërkoi Kinës për “vetëpërmbajtje dhe asnjë cënim të status quo-së”. Uashingtoni tha se po “monitoronte nga afër veprimet e Pekinit”.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë shpesh se SHBA do të ndërhynte nëse Kina do të sulmonte ishullin.

Në krahun tjetër presidenti i Kinës Xi Jinping ka thënë se “ribashkimi” me Tajvanin është një mision që “duhet të përmbushet”.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share