Romët ndjehen të diskriminuar në çdo pore të shoqërisë

SHËNOHET DITA NDËRKOMBËTARE E ROMËVE

Punësimi dhe përfshirja sociale, ekonomi joformale, norma e romëve të cilët nuk janë të punësuar, mungesa e arsimimit dhe mungesa e infrastrukturës bazë, janë vetëm disa nga sfidat me të cilët përballet komuniteti romë në përditshmërinë e tij. Ata ende ndjehen të diskriminuar në çdo pore të shoqërisë, njofton KlanM.

Kryetari i komunës së vetme rome në Evropë, Komunës së Shutkës, Kurto Dudush tha se, nëpër institucione, ende ka probleme të punësohen romë të rinj, të arsimuar që plotësojnë kushtet për punësim. Ai po ashtu tha se, nuk ka mbështetjen e duhur në aspekt të zhvillimit të kësaj komune.

“Ka shumë paragjykime, diskriminim, hajde tani a për Shutkën të japim, lej aty ciganët. Shpresoj se një ditë kjo do të ndalet, se do të na shohin njëjtë sikurse tjerët, shpresoj se nuk do të mbet vetëm në ditën e 8 prillit të shfaqin interes të gjithë politikanët dhe të tjerë dhe të na vijnë në manifestim, por atë ta bëjnë vazhdimisht gjithë vitin” – tha Kurto Dudush, kryetar i komunës së Shutkës.

Koordinatorja e Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Mbështetjen e të Drejtave të Romëve, Latife Shikovska, gjatë shënimit të Ditës së Romëve në Kuvend, sic percjell KlanM, tha se sot ende mund të shohim raste të dëbimit, standardeve të dyfishta, sulmeve raciste, diskriminim, trajtim jo të barabartë, stereotipe dhe shumë çështje të tjera të cilat i ndajnë njerëzit në baza të ndryshme.

“Presim që në 8 prillin e ardhshëm do të krenohemi se kemi zgjidhje sistematike dhe të përhershme, arsim, fëmijët romë të përfshihen në arsimin parashkollorë, të mos ketë segregacion të fëmijëve romë nëpër shkolla, të mos ketë paraqitje të braktisjes së arsimimit, i cili është kyç për dalje nga varfëria. Përmes zgjidhjeve sistematike, shteti dhe donatorët e tjerë dhe organizata t’u japin mbështetje nxënësve dhe studentëve romë” – tha Latife Shikovska.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se, duhet të punohet shumë më tepër në drejtim të ngritjes së vetëdijes qytetare për të parandaluar dhe mënjanuar këto paragjykimet dhe diskriminime.

“Nevojitet koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet të gjithë faktorëve që mund të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes. Me këtë rast, kam ndërmend institucionet shtetërore, pushtetin qendror dhe lokal, organizatat ndërkombëtare, institucionet arsimore, shëndetësore. Gjithkund ku vërehet ngecje, ose po nuk ka aspak avancim të statusit të këtyre qytetarëve tanë, dhe kjo reflektohet drejtpërdrejtë edhe në jetën dhe mbijetesën e tyre personale” – tha Talat Xhaferi.

Me rastin e kësaj dite, sic njofton KlanM, nën organizim të presidentit Stevo Pendarovski u mbajt edhe një konferencë me temë “Strategji për romët, progresi dhe hapat e ardhshëm”. Presidenti porositi se, nevojitet të ndahet buxhet për politikat për romët dhe të ketë vullnet politik real që të arrihet progres në avancimin e të drejtave të komunitetit rom. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share