Rikthehet sistemi TIMS në 6 pikat kufitare të Shqipërisë

Çuçi: Sulmi kibernetik, po punojmë me amerikanët

Ekspertët e IT-së në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët amerikanë kanë rikthyer në funksion të plotë sistemin TIMS në Aeroportin e Rinasit, pas sulmit kibernetik. Është ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ai që jep lajmin, se sistemi i të dhënave është kthyer edhe në 5 pika të tjera kufitare, Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë

“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS. Gjithashtu falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë”.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Çuçi njofton se po vijohet puna për rikthimin e sistemit në pikat e tjera të kalimit kufitar.

“Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në Pikat e tjera të Kalimit Kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve që janë ndeshur me vonesa. Ne kemi punuar prej momentit të parë kur u detektua sulmi kibernetik, për të garantuar mbi të gjitha paprekshmërinë e të dhënave dhe më pas për rikthimin në normalitet në kohën më të shpejtë të mundshme”.

Kujtojmë se në pikat kufitare ku nuk po funksionon TIMS, vijon puna manualisht, pra hyrje-daljet shënohen në një regjistër.

Sistemi i Menaxhimit të të Dhënave ra të premten pre e një sulmi kibernetik.

Drejtori i Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj, tha të shtunën (10 Shtator) se sulmi nuk ka prekur të dhënat e sistemit TIMS. Si pasojë e sulmit kibernetik ra edhe faqja online e Policisë së Shtetit.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se përgjegjës është i njëjti agresor qe sulmoi sistemet online me 15 Korrik, Republika Islamike e Iranit. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi edhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë në SHBA, e cila dënoi sulmin kibernetik.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 Shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 Korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të hetuar dhe rikthyer normalitetin”, thuhej në deklaratë.

Sulmi erdhi dy ditë pasi qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik më 15 Korrik./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share