Reka e Epërme: Pas gjashtë ditësh hapet rruga për në fshatin Nistrovë (VIDEO)

KURTOVSKI: “DO TË PUNOHET EDHE NESËR PËR RREGULLIM EDHE MË TË MIRË”

Pas kronikës së djeshme për shtatë fshatrat e Rekës së Epërme të cilat mbeten të izoluara pas vërshimeve të 15 dhjetorit dhe shembjes së urës e cila la të bllokuar 25 banorë të fshatit Nistrovë, siç premtoi dje Medat Kurtovski, kryetari i Komunës së Mavrovës – Rostushës, sot personalisht Kryetari i kësaj Komune dërgoi fotografi në redaksinë e TV Klan Maqedoni për të konfirmuar se po punohet në terren dhe se rruga për në fshatin Nistrovë është e kalueshme.

“Do të punohet edhe nesër për rregullim edhe më të mirë dhe pastaj do të shohim se çfarë duhet të ndërmarrim edhe për urat tjera të fshatrave tjerë” – tha Medat Kurtovski, kryetar i komunës Mavrovë-Rostushë.

Të njëjtën gjë e ka konfirmuar edhe Fazli Xhelili, banor i fshatit Nistrovë.

“Rruga për në Nistrovë është e kalueshme me makinë deri në fshat, ndërsa për fshatrat e tjera, për Rimnicë, Tanushë, Grekaj e shumë fshatra tjerë nuk mund të kalohet me veturë, por është mirë që edhe atje është rregulluar, por çfarë plani kanë nga komunat nuk e di” – tha Fazli Xhelili, banore i Nistrovës.

Fazliu shtoi se urat tjera janë po aq të rëndësishme për fshatrat e Rekes se Epërme, pasi shumë banorë që janë shpërngulur, kthehen në vendlindje gjatë verës për të kaluar pushimet e tyre dhe gjithashtu shtoi se manifestimi Takimet e Rekës, që tash më mbahet prej disa vitesh i dhanë jetë këtij vendi dhe ky manifestim nuk duhet të ndërpritet shkaku i këtyre urave dhe rrugës. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share