Prej një muaji ka nisur konflikti Izrael-Hamas, duke shkaktuar mijëra jetë të humbura njerëzish. Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një shkrim pikërisht për atë që po ndodh në Gaza. Përmes një postimi në “X”, ai thotë se Shqipëria mbështet Izraelin në luftën kundër Hamasit, por nga ana tjetër është i shqetësuar për jetët e civilëve në Gaza.
Kreu i qeverisë bën me dije se do t’u bashkohet liderëve botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku kjo çështje do të jetë në fokus të diskutimeve.
“Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria mbështet thirrjen e Presidentit Biden për një pauzë humanitare. Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, Liga Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin. Sipas një mandati të OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme”, shkruan Rama./tvklan.al