Në vizitën e tij në Shkup ku u prit nga Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski, Kryeministri Edi Rama tha se me homologun ka një dakordësi që nga Bashkimi Europian të kërkojnë më shumë mbështetje financiare për Ballkanin Perëndimor, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Patëm një takim dhe një disktutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do mikpresë samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe kur qëllimi im është që ky samit të shënojë disa përparime konkrete të prekshme domethënëse për të cilat po punojmë me Kancelarinë në Berlinit dhe paralelisht po diskutojmë me KE në Bruksel. Është një kohë kur është bërë shumë e qartë për të gjithë ne dhe kemi dakordësi të plotë jo thjesht në parim por dakordësi që buron nga realiteti i përditshëm i punës tonë se hendeku midis vendeve anëtare të BE dhe vendeve tona në aspektin e mbështetjes financiare të BE është i pakrahasueshëm me nevojën tonë dhe me domosdoshmërinë që Europa e tërë të jetë më kompakte. Kjo është arsyeja që ne prej disa kohësh kemi filluar të shtyjmë në këtë drejtim duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin si vende në mënyrë të posaçme me Maqedoninë e Veriut ku Kryeministri, stafi, janë shumë aktivë në mënyrë që të çojmë përpara këtë qëllim tonin të përbashkët duke furnizuar partnerët tanë me argumente konkrete nga ky realitet.
Eksperiencat që kemi kaluar na ndalojnë që ne të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Kam parasysh Codidin kur BE na la si peshq pa ujë në periudhën e parë dhe kur u detyruam të shkojmë të kërkojmë vaksina në ato që BE i quan vende të treta. Por kam parasysh dhe periudhën pas se sa e rëndësishme ishte kur BE u përfshi dhe gjetëm mbështetje.
Ka plot sfida të përbashkëta që kërkojnë qëndrim politik të përbashkët por edhe qasje të përbashkët ndaj qytetarëve. Ajo që vendet e tjera në BE marrin nga BE është e pakrahasueshme me atë që ne mund të vemë në dispozicion të qytetarëve nga burimet e brendshme”.
Kryeministri Rama thekson se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë linjëzuar 100% politikën e jashtme të tre me atë të BE-së, e kjo sipas tij, është një arsye më shumë për të marrë trajtimin e duhur financiar nga Bashkimi Europian.
Ndër të tjera, Rama bëri të ditur se së shpejti në Tiranë do të ketë një takim informal me liderët e Ballkanit dhe të disa vendeve të BE.
“Shqipëria dhe RMV kanë një bilanc kuptimplotë ne raportin e tyre me BE jo vetëm sa u përket reformave por dhe linjëzimit të plotë 100% në politikën e jashtme me BE. Kjo është një vlerë që ne mishërojmë.
Lajmi i mirë është se Komisioni po punon në këtë drejtim dhe së shpejti do kemi një tjetër takim informal në Tiranë ku unë do t’i ftoj të gjithë së bashku dhe do jenë prezentë edhe miq nga BE për të diskutuar konkretisht mbi planin. Na duhet ky plan, kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Europës që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat por edhe si ata që kontribuojnë. Sot është e qartë që BE ka nevojë për ne sa kemi nevojë për BE”.
Tema e dytë me të cilën bisedoi me Kryeministrin Kovaçevski, është ajo e Samitit të NATO-s dhe për zhvillimet në Ballkan.
“Tema tjetër është tema e samit të NATO-s, Shqipëria, RMV dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO. Ne jemi të linjëzuar me lidershipin e NATO, por ama jemi 3 anëtarë në një rajon që nuk është i qetë dhe kemi nevojë të kuptohemi së bashku dhe të jemi të qartë duke shkëmbyer me njëri-tjetrin për të pasur një zë që është zëri i një rajoni”, theksoi Kryeministri Rama. /tvklan.al