“Kemi ende pa zgjidhur çështjen Kosovë-Serbi”
Në krah të presidentit të Francës Emmanuel Macron në një nga panelet e Forumit të Paqes që po mbahet në Paris, kryeministri Edi Rama vuri në dukje rreziqet që i kanosen Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani deri më tani ia ka dalë t’i qëndrojë larg luftës konvencionale duke qenë pjesa, hallka më e brishtë e zinxhirit. Në qoftë se flasim për komunitetin, politikën europiane, në qoftë se jeni aty në të njëjtën kohë kemi dobësitë tona sepse e dimë shumë mirë që në Ballkan, Rusia ka ndikimin më të madh potencial dhe mund të shkaktojë dëmet më të mëdha për shkak të ndasive historike në Ballkan që ende janë të pranishme”, u shpreh Rama.
Rama përshëndeti angazhimin e fundit të Francës në zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkan ku më kryesorja mbetet ajo mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi një çështje të madhe në Ballkan që është çështja e paqes përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës, por në të njëjtën kohë është vërtetë e rëndësishme që të shihet që Ballkani është i bashkuar”, u shpreh Rama.
Rama tha se e mbështet idenë e Presidentit Macron për Komunitetin Politik Europian. Vetë kreu i Elizesë tregoi synimet e kësaj nisme.
“Si mund t’i zgjidhim problemet tona brenda përbrenda Europës, jo vetëm si shtete anëtare të BE-së, por edhe përtej Bashkimit Europian, për zgjidhje që kanë të bëjnë me pikërisht me realitetet tona historike dhe gjeografike. Duhet të ristrukturohemi dhe të kemi një strukturë rajonale”, u shpreh Macron.
Gjatë panelit nuk munguan as batutat mes Ramës dhe Macron.
“Pikë së pari zoti President, jeni shumë kurajoz që të vendosni një kufi kohor e të ftoni njerëz nga Amerika Latine, Afrika e Ballkani. Kështu që ju heq kapelën. Prandaj tani e kuptoj pse Putini kërkon të të përqafojë”, u shpreh Rama.
“Faleminderit shumë Edi. Thamë që kishim një orë dhe çfarëdo Edi Rama thotë, ne e kemi respektuar këtë orar”, u shpreh Macron.
Kreu i qeverisë shqiptare mori pjesë edhe në Panelin “Mobilizimi ndërkombëtar për Observatorin për Informim dhe Demokraci” ku vendi ynë ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për aderimin në Partneritetin Ndërkombëtar për Informim dhe Demokraci.
Rama ishte pjesë edhe e darkës së organizuar nga Macron në Pallatin Elize me të gjithë krerët e shteteve që janë pjesë e këtij forumi.
Tv Klan