Rama: Paga mesatare do të shkojë 900 Euro në harkun e 1 viti

Kryeministri Edi Rama u shpreh pas mbledhjes së qeverisë se paga mesatare do të shkojë në 900 Euro në Shqipëri. Kjo do të realizohet në harkun e 1 viti. Në deklaratën e bërë para gazetarëve, kreu i qeverisë tha se kjo është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes së tij.

“Dola sot këtu sepse është një nga ditët më të shënuara të qeverisjes sime. Sapo kemi dakordësuar projektligjin për reformën e re të pagave dhe kemi sanksionuar e zeza mbi të bardhë se në harkun e 1 viti paga mesatare në Shqipëri do të shkojë nga 563 Euro që është sot, në 900 euro. Ky është rezultat i të gjitha përpjekjeve, reformave, punëve të bëra, për të ardhur në ditën që ta krijojmë mundësinë për shtëpinë e përbashkët dhe të mund të rishpërndajmë të ardhurat aty ku edhe me shumë të drejtë familjet e zakonshme shqiptare presin më shumë se sa çdo gjë tjetër në arkën e buxheteve të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se ekonomia e Shqipërisë është e qëndrueshme dhe ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj.

“Konstatojmë sot se sa e qëndrueshme është ekonomia jonë dhe realisht kemi hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj pavarësisht të gjitha, peripecive , pengesave dhe goditjeve të jashtëzakonshme që Shqipëria ka marrë në vazhdën e disa krizave të njëpasnjëshme. Ia kemi dalë jo vetëm të rezistojmë, jo vetëm të adresojmë plagë”, u shpreh Rama.

I pyetur se çfarë efekti do të ketë në buxhet kjo rritje Rama tha: “Do të ketë një efekt në buxhet të konsiderueshëm por plotësisht të përballueshëm”. /tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share